Sport

Babanë shqiptar, nënën kroate, por përfaqëson Gjermaninë

Me baba nga Vlora dhe nënë kroate, ai është ballkanasi që përfaqësoi Gjermaninë në këtë ngjarje sportive

Quhet Tom Dordeviq, është 8 vjeç dhe një prej pjesëmarrësve në Kampionatin Botëror të shahut për fëmijë që u organizua në qytetin bregdetar të Durrësin.

Tomi është personazh i spikatur i këtij evenimenti për origjinën e tij të përzier.

Me baba nga Vlora dhe nënë kroate, ai është ballkanasi që përfaqësoi Gjermaninë në këtë ngjarje sportive. Tomi është djali i dy emigrantëve që u njohën u dashuruan e krijuan jetën e tyre në Gjermani. Tomi edhe pse nuk e flet gjuhën shqipe nuk e fsheh se e pëlqen Shqipërinë, vendin ku jeton gjyshja e tij, shkruan “TCH”.

“Kam gjyshen time në Shqipëri. Shqipëria është një vend i bukur dhe mua më pëlqen sepse këtu ka diell gjithë kohës dhe pak ditë me shi. Kjo është një ndër gjërat e mira të Shqipërisë. Kam nisur të luaj shah kur isha 6 vjeç dhe në këtë turne kam grumbulluar 4 pikë”, shprehet Tom Dordeviq, shahist, përcjell albinfo.ch.

Fëmijë e prindër nga vende të ndryshëm të botës ishin në Durrës në këtë ngjarje sportive duke dhënë përshtypjet e tyre. “Jemi të kënaqur që ndodhemi këtu. Është një vend i bukur plot diell, mikpritës dhe ushqim të mirë, na pëlqen. Organizimi është shumë i mirë”, thotë një prind.

“Jemi nga Bullgaria dhe kjo është hera e parë në Shqipëri nuk kishim ardhur ndonjëherë kaq larg dhe ja ku jemi në këtë turne. Nuk kemi parë shumë nga Shqipëria, por bregdeti është i bukur dhe organizimi mjaft i mirë. Fëmijët po argëtohen dhe kjo është ajo që ka më shumë rëndësi”, shprehet një tjetër.

Kampionati botëror i shahut për fëmijë është ngjarja më e rëndësishme sportive në nivel ndërkombëtar e mbajtur në vendin tonë. Sekretarja e përgjithshme e Federatës Shqiptare të Shahut Majlinda Pilinçi deklaroi se objektivi ishte promovimi i këtij sporti te të rinjtë

Në këtë eveniment sportiv morën pjesë 387 shahistë nga 40 vende të botës që garuan në 12 kategori të ndryshme moshash për djem e vajza. për më të mirët u dhanë edhe medalje të arta, argjendta dhe të bronzta.