Lajme
Armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit hyn në fuqi mëngjesin e 19 janarit
Ministria e Jashtme e Katarit tha se armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – do të hyjë në fuqi të dielën e 19 janarit në orën 06:30 sipas kohës lokale (07:30 sipas kohës në Kosovë).
Kjo pasi, mëngjesin e së shtunës, Qeveria në Izrael miratoi marrëveshjen për armëpushim në Gazë.
Ndërmjetësit e bisedimeve, Shtetet e Bashkuara dhe Katari njoftuan të mërkurën për marrëveshjen e armëpushimit, por pakti u vu në pikëpyetje për më shumë se një ditë, pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, insistoi se kishte pasur ndërlikime të minutës së fundit dhe fajësoi Hamasin për këtë. Të premten, kabineti i sigurisë i Izraelit i rekomandoi Qeverisë miratimin e marrëveshjes.
Pakti parasheh lirimin e dhjetëra pengjeve dhe ndaljen e luftës 15-mujore me Hamasin, duke i sjellë të dyja palët një hap më pranë përfundimit të luftës më vdekjeprurëse dhe shkatërruese që kanë zhvilluar ndonjëherë.
Sipas marrëveshjes, 33 pengje do të lirohen në gjashtë javët e ardhshme, në këmbim të lirimit të qindra palestinezëve të burgosur nga Izraeli.
Netanyahu ka udhëzuar një task-forcë speciale që të përgatitet për pranimin e pengjeve.
Nga pengjet që do të lirohen, 33 janë gra dhe fëmijë, burra mbi moshën 50-vjeçare, persona të sëmurë apo të plagosur.
Pjesa e mbetur e pengjeve, përfshirë ushtarë, do të lirohen në fazën e dytë, e cila do të negociohet gjatë fazës së parë.
Hamasi tha se nuk do të lirojë pengjet e mbetura, pas fazës së parë, pa një armëpushim afatgjatë dhe tërheqjen e plotë të Izraelit nga Rripi i Gazës.
Grupi radikal palestinez është pajtuar për lirimin e tri pengjeve gra në ditën e parë të hyrjes në fuqi të marrëveshjes, katër në ditën e shtatë, ndërkaq të tjerët në pesë javët pasuese.
Të burgosurit palestinezë do të lirohen po ashtu. Ministria e Drejtësisë e Izraelit ka publikuar listën e më shumë se 700 personave që do të lirohen në fazën e parë të armëpushimit. Të gjithë të burgosurit që gjenden në listë për lirim gjatë fazës së parë të marrëveshjes janë të rinj ose gra, raporton REL.
Shërbimi i Burgjeve i Izraelit tha se do të transportojë të burgosurit, në vend të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, që u mor me transportin gjatë pauzës së parë të luftimeve në nëntorin e vitit 2023.
Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, kur Hamasi sulmoi Izraelin duke vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Disa pengje u liruan gjatë një pauze njëjavore luftimesh në nëntorin e po atij viti.
Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka lënë të vrarë më shumë se 46.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Izraeli ka thënë se ka vrarë më shumë se 17.000 luftëtarë, por nuk ka ofruar dëshmi për këtë pretendim.
Lufta në enklavën palestineze ka trazuar Lindjen e Mesme dhe ka nxitur protesta në gjithë botën.
E-Diaspora
-
Ambasadori britanik takon studentët kosovarë pas studimeve në Mbretërinë e Bashkuar Jonathan Hargreaves përgëzon të rinjtë që rikthyen aftësi unike dhe njohuri të avancuara për shoqërinë kosovare.... -
Itali
Tragjedi në Bolonjë: Vdes 12-vjeçari shqiptar pas rënies nga një dritare -
Gjermani
Petrit Halilaj prezanton ekspozitën “Një Operë Jashtë Kohës” në Gjermani -
Ekspozitë kushtuar jetës dhe veprës së Fehmi Aganit -
Pas 27 vjetësh: refugjatja dhe presidentja takohen sërish
Jeta në Austri
-
Udhëheqësit austriakë shtyjnë përpara reformën në shëndetësi Austria përshpejton bisedimet për reformën shëndetësore, duke synuar një drejtim të unifikuar të pacientëve dhe një... -
Gjermani
Lionela Jakaj në finalen e “The Voice Kids”, 14-vjeçarja shqiptare synon fitoren në Austri -
Afër Pashkëve, 8,300 lepuj ngordhin në trafikun rrugor në Austrinë e Poshtme -
Edhe Austria ndalon Rrjetet Sociale për fëmijët nën 14 vjeç -
Austri
Në Parlamentin e Austrisë, të premten mbahet konferenca „Kosova në BE“












