Ambasadori i Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi, së bashku me Sekretarin e Dytë të Ambasadës, Gjenis Haxhimehmeti, morën pjesë në pritjen solemne të organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bernë, me rastin e Festës Kombëtare të SHBA-së, transmeton albinfo.ch.
Gjatë ceremonisë, përfaqësuesit e Ambasadës së Kosovës u pritën nga ambasadorja amerikane në Zvicër, Callista Gingrich, dhe bashkëshorti i saj, ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Newt Gingrich.
Përmes një mesazhi të publikuar nga Ambasada e Kosovës në Bernë, u uruan qytetarët amerikanë me rastin e Ditës së Pavarësisë, duke theksuar miqësinë dhe partneritetin e ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Urime të përzemërta popullit amerikan me rastin e Ditës së Pavarësisë!”, thuhet në mesazhin e Ambasadës së Kosovës në Bernë./Albinfo.ch