E-Diaspora

Aeroplani i linjës Stuttgart-Prishtinë bën ulje emergjente në Zagreb

Aeroplani ishte nisur nga Shtutgarti i Gjermanisë për në Prishtinë dhe pas një ore fluturim ishte detyruar të bënte uljen emergjente

Gjatë ditës së djeshme është raportuar për një problem teknik në aeroplanin e kompanisë ajrore ALK Airlines e cila operohet nga agjencioni Prishtina Ticket, problem i cili ka detyruar aeroplanin të bëjë një ulje emergjente në Aeroportin e Zagrebit.

Aeroplani ishte nisur nga Shtutgarti i Gjermanisë për në Prishtinë dhe pas një ore fluturim ishte detyruar të bënte uljen emergjente.
Disa nga pasagjerët që ndodheshin në aeroplan ditën e djeshme, të kontaktuar nga redaksia kanë pohuar se aeroplani ka bërë një ulje ne Aeroportin e Zagrebit por që pasagjerët nuk janë njoftuar se çfarë po ndodhë. 
Pasagjerët thanë se po mbahen të mbyllur në aeroplan dhe se nuk po ju jepet asnjë informatë se çfarë po ndodhë.

Në orët e mbrëmjes, e kontaktuar nga redaksia, zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës zonja Valentina Gara ka informuar se fluturimi është devijuar në aeroportin e Zagrebit për shkak të një problemi teknik.

E kontaktuar sot nga redaksia, Agjencia Prishtina Ticket përmes punëtorëve të saj ka thënë se fluturimi është realizuar pas orës 01:00 të mesnatës dhe se sot pritet të realizohen të gjitha fluturimet sipas planit të paraparë.

Megjithatë në faqen e Aeroportit të Prishtinës, kompania ALK Airlines do të duhej të fluturonte për në Basel të Zvicrës në ora 10:30 por fluturimi nuk është realizuar ende dhe ka një vonesë prej tre orësh për momentin.

Gjendja e teknike e aeroplanit është mjaft shqetësuese 

Disa javë më parë, Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës dhe Ministria e Infrastrukturës ishin njoftuar për gjendjen e aeroplanit të kësaj kompanie nëpërmjet gazetarit i cili përcjellë në vazhdimësi çështjet e aviacionit i cili kishte udhëtuar me kompaninë ALK Airlines. Zyrtarët nga Ministria e Infrastrukturës ishin zotuar se do të ndërmarrin masat e nevojshme duke dërguar edhe inspektorët e tyre që të inspektonin gjendjen teknike të aeroplanit.

Një zyrtar  i Departamentit të Aviacionit Civil në Ministrinë e Infrastrukturës (emri i tij, i njohur për albinfo.ch) ka thënë se “Ju njoftoj se inspektorët ( e AACK-së) përkatës janë vazhdimisht në inspektim të avio kompanive që operojnë për /nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës. Për më tepër, me të marrë të informimit të juaj konkret, janë shtuar edhe më tepër masat e inspektimit dhe në rast të gjetjeve do të ndërmerren masa konkrete ndëshkuese konform legjislacionit.”

Aeroplani i cili ishte me defekt është Boeing 737-300 dhe mban regjistrimin LZ-LVK ndërsa vjetërsia e këtij aeroplani është 27 vjeçare. Ai është blerë në vitin 2017 nga një kompani nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kompania ALK Airlines ka në pronësi tre aeroplanë, njëri prej të cilëve është aeroplani i cili operon linjat e fluturimeve për Prishtina Ticket dhe është Boeing 737-300 dhe dy McDonnell Douglas MD-82, po ashtu të vjetër rreth 30 vjeç.