Sport

Adnan Januzaj nuk i duhet Kosovës

“Për mua dhe për Adnanin është e mira që ai të mos vijë te Kosova. Nëse nuk ka ndjenja për vendin e tij, atëherë ne nuk kemi nevojë për të”, deklaroi përzgjedhësi Bunjaki

Kosova ka zbuluar listën për ndeshjen ndaj Finlandës, derisa përzgjedhësi Albert Bunjaki u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, shkruan albinfo.ch.

Njëri ndër më të diskutuarit ishte Adnan Januzaj. “Për mua dhe për Adnanin është e mira që ai të mos vijë te Kosova. Nëse nuk ka ndjenja për vendin e tij, atëherë ne nuk kemi nevojë për të. Jemi munduar ta kontaktojmë në shumë mënyra, por nuk kemi arritur. Së fundmi, kemi tentuar ta kontaktojmë edhe përmes klubit të tij, pot më kot”, ka thënë Bunjaki.

Ai ka folur edhe për futbollistët e Kombëtares shqiptare që iu bashkuan Kosovës. “Ne nuk ia kemi mbyllur derën askujt. Ka pasur kontakte të vazhdueshme me lojtarët. Nuk kam folur me lojtarët e Shqipërisë, por nëse një lojtar i saj është afruar vetë, është normale që kam biseduar me të dhe është diskutuar nëse në aspektin sportiv ishte e mirë që të luante për Kosovën. Kush ka dashur të vijë, i kam dëshiruar mirëseardhje”, deklaroi Bunjaki në konferencë për shtyp.

“Ne do të luajmë ndaj Finlandës. Është gjendje e vështirë dhe kërkon një menaxhim të mirë të situatës. Kjo është arsyeja pse deshëm të bënim qendrën stërvitore larg Kosovës, të izoluar nga mediat apo familjarët. E dimë që do të vijnë lojtarë të rinj, kemi nevojë që të punojmë, të lidhemi sa më shpejt dhe na nevojiten 4 ditë qetësi. Shpresoj që ta kuptoni situatën. Por, më 4 shtator, kur të jemi në qytetin e ndeshjes, cilët tifozë do të vijnë afër nesh, do t’u jemi mirënjohës. Kemi nevojë për ndihmën e  tyre, si në kohët e mira, ashtu edhe në kohët e vështira”, theksoi Bunjaki.

 

Lista e Kosovës

Granit Kolshi

Flamur Neziri

Fanol Përdedaj

Leart Paqarada

Avni Pepa

Alban Pnishi

Bajram Jashanica

Ardian Ismajli

Benjamin Kololli

Eroll Zejnullahu

Hekuran Kryeziu

Bernard Berisha

Besar Halimi

Bersant Celina

Valmir Sulejmani

 

Në pritje të vendimit nga FIFA

Samir Ujkani

Amir Rrahmani

Enis Alushi

Alban Meha

Milot Rashica

Herolind Shala

Albert Bunjaku

Vedat Muriqi

Valon Berisha

Sinan Bytyqi

 

Sa i përket listës së tretë, bëhet fjalë për futbollistë që kanë shprehur dëshirën e tyre për të përfaqësuar Kosovën, po për arsye procedurash nuk mund të bashkohen me ekipin që në këtë moment. Ata do të jenë pjesë e planit të Kosovës në të ardhmen. Në këtë listë janë: Besart Berisha, Erton Fejzullahu, Arbër Zeneli, Loret Sadiku, Elbasan Rashani, Flamur Rexhepi, etj.