Lajme

ADN-ja çoi në arrestimin e autorëve të grabitjes në Muzeun e Luvrit

Një gjurmë ADN-je ka qenë çelësi që ndihmoi autoritetet franceze të zbardhin grabitjen e bujshme në Muzeun e Luvrit, duke çuar në arrestimin e dy personave të shtunën në mbrëmje.

Sipas BFMTV, një nga të dyshuarit u identifikua falë një gjurme vendimtare ADN-je të gjetur në vendngjarje. Hetimi, i cili kishte përfshirë analizimin e mbi 150 mostrave të ndryshme, përfshinte gjurmë gishtash, ADN-je dhe elementë të tjerë provues.

Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, konfirmoi se hetuesit kishin mbledhur një sërë provash biologjike, ndërsa shefja e policisë mjeko-ligjore, Perrine Rogiez-Thubert, sqaroi se janë përdorur si gjurmë “të pasura” (gjak, pështymë, spermë), ashtu edhe “të dobëta” – të mbetura në objekte të prekura nga autorët.

Në vendngjarje janë gjetur disa sende me potencial provues, përfshirë një helmetë, një radio dore, një jelek të verdhë dhe dy rrota prerëse metalesh, të cilat ndihmuan në ndërtimin e profilit gjenetik të të dyshuarve.

Hetimi mori kthesë vendimtare kur një prej të dyshuarve tentoi të largohej nga Franca. Ai u identifikua përmes testimit të ADN-së dhe u arrestua në aeroportin Roissy–Charles de Gaulle, teksa përgatitej të udhëtonte drejt Algjerisë.

Të arrestuarit janë dy burra rreth të tridhjetave, banues në Aubervilliers, një periferi veriore e Parisit. Njëri ka shtetësi franceze dhe algjeriane, ndërsa tjetri është shtetas francez. Ende nuk dihet roli i tyre i saktë në grabitje, por ata konsiderohen të dyshuarit kryesorë.

Autoritetet franceze po vazhdojnë hetimet për të zbuluar bashkëpunëtorët e mundshëm dhe për të gjetur plaçkën e grabitur, e cila mbetet ende e humbur.