Lajme
A është i rrezikshëm TikTok-u?
Suksesi i shpejtë i aplikacionit kinez të publikimit të videove TikTok ka alarmuar ligjvënësit dhe mbrojtësit e privatësisë në mbarë botën. Për çfarë shqetësohen ata?
TikTok është në qendër të vëmendjes së shumë autoriteteve dhe organeve monitoruese.
Ligjvënësit në mbarë botën po debatojnë se si të kufizojnë, ose ta shpallin të jashtëligjshëm, përdorimin e shërbimit kinez të publikimit të videove, i cili është bërë një nga aplikacionet më të njohura mes adoleshentëve në mbarë botën.
Ndërsa Bashkimi Evropian është gati të zbatojë legjislacionin që do të detyrojë TikTok të kontrollojë në mënyrë agresive përmbajtjen e dëmshme, vendet nga SHBA-ja në Japoni po mendojnë se si ta rregullojnë aplikacionin – ose madje të ndjekin shembullin e Indisë dhe ta ndalojnë atë plotësisht.
Frika e tyre është se qeveria e Kinës mund të ndikojë tek TikTok për të nxitur interesat e saj. Ashtu si kali i Trojës në mitologjinë greke, ata paralajmërojnë se Pekini mund të përdorë aplikacionin për të fituar akses në të dhënat e ndjeshme të përdoruesve dhe për të përhapur informacione të rreme.
“Ka shqetësime legjitime për mbikëqyrjen e mundshme nga regjimi kinez,” tha për DW, Estelle Masse nga organizata jofitimprurëse e të drejtave dixhitale me bazë në Bruksel, Access Now.
TikTok gjithashtu meriton vëmendje të madhe, “sepse është media sociale me rritjen më të shpejtë në botë dhe demografia e saj është shumë e re,” shtoi ajo.
Kompania amë e aplikacionit, konglomerati kinez i teknologjisë ByteDance, ka qenë prej kohësh nën shqyrtim për mënyrën se si mbledh dhe përpunon të dhënat e përdoruesve. Por presioni ndaj rregullatorëve për të frenuar platformën është rritur që kur u zbulua në dhjetor se punonjësit e ByteDance kishin akses në të dhënat e gazetarëve perëndimorë për të hetuar rrjedhjet në shtyp.
Një zëdhënëse e TikTok tha për DW, se incidenti ishte “sjellje e pahijshme e individëve të caktuar që nuk janë më të punësuar në ByteDance”, duke shtuar se protokollet për ata që mund të kenë akses në të dhënat e përdoruesve që atëherë “janë ngurtësuar ndjeshëm”.
Ajo argumentoi se ndërsa të dhënat e përdoruesve të TikTok ruheshin në qendrat e të dhënave jashtë Kinës, “një akses i kufizuar i punonjësve” në informacionin nga brenda Kinës ishte i nevojshëm “për të mbështetur komunitetin tonë global”.
Në të njëjtën kohë, zëdhënësja këmbënguli se “nuk na është kërkuar kurrë t’i ofrojmë qeverisë kineze të dhënat e përdoruesve të TikTok dhe kurrë nuk i kemi dorëzuar asnjë të dhënë asaj”.
Si u bë kaq i madh TikTok?
Ngjitja e shpejtë e aplikacionit është e paprecedentë në historinë e internetit. Brenda pak vitesh, ai u ngrit nga një aplikacion i veçantë për fëmijë që bëjnë sinkronizimin e buzëve në një nga platformat kryesore të mediave sociale në botë, të cilit përdoruesit i drejtohen gjithnjë e më shumë për të drejtuar pyetjet e kërkimit ose për të ndjekur lajmet.
Në vitin 2018, ByteDance lançoi në tregun global TikTok, i cili është modeluar sipas aplikacionit të tij kinez Douyin.
Në shtator 2021, platforma njoftoi se kishte arritur një miliard përdorues aktivë mujorë, një moment historik që Facebook-ut iu deshën mbi tetë vjet për ta arritur.
Statistikat e shkarkimit sugjerojnë se numri ka vazhduar të rritet që atëherë.
TikTok nuk jep informacion në lidhje me numrin aktual të përdoruesve, duke cituar politikën e kompanisë.
Çelësi i suksesit të aplikacionit, sipas analistëve, është faqja “Për ty” e TikTok, një rrjedhë e individualizuar videosh që duket ndryshe për çdo përdorues.
Fillon automatikisht sapo hapet aplikacioni dhe analizon gjithçka që tërheq vëmendjen e përdoruesve, si p.sh. sa kohë ata shikojnë një klip përpara se të kalojnë te tjetri. Kështu, me kalimin e kohës, softueri mëson gjithnjë e më shumë rreth tyre dhe i përshtat videot që ata shohin me interesat e tyre.
“Në fund të ditës, algoritmi i faqes ‘Për ty’ ka një objektiv mjaft të qartë,” tha Martin Degeling i fondacionit Neue Verantwortung, një Think Tank me qendër në Berlin, i cili ka analizuar sistemin e rekomandimeve të TikTok.
“Ka të bëjë me vlerësimin se çfarë do të zgjojë interesin e përdoruesve pikërisht në atë moment dhe synon t’i mbajë ata në platformë për aq kohë sa të jetë e mundur.
A mund të rrëmbehet TikTok?
Ndërsa përdoruesit e përdorin gjithnjë e më shumë aplikacionin si burim lajmesh, me mediat kryesore duke përfshirë DW që postojnë rregullisht në platformë, kritikët paralajmërojnë se algoritmi i tij i fuqishëm mund të abuzohet për të përhapur qëllimisht disinformim.
Zyrtarët amerikanë si drejtori i FBI-së, Chris Wray, kanë paralajmëruar në mënyrë specifike se qeveria në Pekin mund të “manipulojë përmbajtjen” në aplikacion për të ndikuar në opinionin publik ose për të mbjellë trazira sociale jashtë vendit.
“Rreziku që TikTok po përdoret për të përhapur qëllimisht disinformimin është real”, sipas studiuesit Degeling, por ai “nuk e konsideron atë të jetë dukshëm më i madh se në platformat e tjera të mediave sociale”.
Zëdhënësja e TikTok hodhi poshtë akuzat, duke argumentuar se platforma po përpiqej “të kufizonte në mënyrë proaktive përhapjen e informacionit të rremë”. Ajo vuri në dukje partneritetet me organizatat e verifikimit të fakteve dhe një nismë të re që tani paralajmëron përdoruesit kur videot ngarkohen nga “llogari të drejtuara nga entitete prodhimi editorial i të cilave ose procesi i vendimmarrjes i nënshtrohet kontrollit ose ndikimit të një qeverie”./DW
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Libri i Mira Kazhanit promovohet në Gjermani Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot emocion, në Gjermani u mbajt promovimi i librit bestseller... -
Fjolla dhe Ardiana prezantojnë “Vajzë”, një urë mes Kosovës dhe Zvicrës -
USA
Kur ëndrrat nuk njohin kufij, rrugëtimi akademik i Albulena Ukës -
Në Stokholm, Lea Ypi sjell rrëfimin e ri mbi lirinë dhe identitetin shqiptar -
Në Berlin u prezantua romani “ë” i autores Jehona Kicaj
Jeta në Austri
-
Rita Ora gati ta ndezë atmosferën në hapjen e sezonit dimëror në Austri Rita Ora gati për skenën e madhe në Alpet austriake... -
Nëntë në dhjetë familje austriake përballen me vështirësi në kostot e energjisë -
Austri: Debatohet zgjatja e limitit prej 200 eurosh për orët shtesë pa taksa -
Çmimet e shtëpive familjare në Austri rriten me 2.2% në fillim të vitit 2025 -
Kërkesat për azil në Austri bien me 32% në vitin 2025










