Lajme

A do të udhëtojnë pa viza kosovarët nga 1 janari 2023

Tri shtetet më të fuqishme të Bashkimit Europian, Franca, Gjermania dhe Italia, dje në vizitën e tyre që patën në Kiev i dhanë një lajm të mirë ukrainasve se këto shtete e mbështesin dhënien e statusit të vendit kandidat Ukrainës.

Në këtë lajm po sheh diçka pozitive edhe për Kosovën ish-kryediplomati kosovar, Petrit Selimi.

Ai tha se kjo mund të ndihmojë që Brukseli t’ua liberalizojë vizat kosovarëve dhe për këtë dha edhe një datë, nga e cila ai mendon se qytetarët mund të lëvizin lirshëm.

“Kjo do t’i ndihmojë Kosovës të marrë liberalizimin e vizave. Njerëzit e Brukselit nuk duan të ngjallin shpresa në Kosovë – pas kaq shumë vitesh zhgënjimi – por pritshmëria është që pasaporta kosovare mund të bëhet e vlefshme për të hyrë në të gjithë BE-në pa viza që nga 1 janari 2023”.

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka folur për premtimet e pambajtura ndaj Ballkanit Perëndimor gjatë vizitës së djeshme në Ukrainë në konferencën për media me presidentin Volodymyr Zelensky, presidentin e Francës Emmanuel Macron, kryeministrin e Italisë Mario Draghi dhe presidentin e Rumanisë Klaus Iohannis.

Premtimet ndaj Ballkanit përfshijnë edhe çështjen e vizave për Kosovën, për çka tashmë pritet të ketë diskutime konkrete në Bruksel, por ende s’dihet a do të mund të arrihet pajtimi.