Kosova

Kurti pas takimit me komunitetet: Ende po kërkojmë mënyra për të shmangur zgjedhjet e reja

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se përpjekjet politike për zgjedhjen e presidentit dhe shmangien e një procesi të ri zgjedhor do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Pas një takimi me përfaqësues të komuniteteve, Kurti tha se i ka informuar ata për zhvillimet e fundit politike, përfshirë marrëveshjen e arritur mes LVV-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president.

Sipas Kurtit, marrëveshja nuk është zbatuar për shkak të qëndrimit të gjashtë deputetëve të LDK-së, të cilët, sipas tij, nuk e kanë mbështetur atë.

“Gjashtë deputetë nga LDK-ja nuk e respektojnë këtë marrëveshje”, deklaroi Kurti, duke shtuar se edhe përfaqësuesit e komuniteteve kanë shprehur keqardhje për situatën e krijuar.

Kurti vlerësoi se, pavarësisht dështimit të përpjekjes së fundit, ka pasur rritje të numrit të votave për kandidatin presidencial të mbështetur nga LVV-ja dhe LDK-ja. Ai përmendi se Feride Rushiti kishte marrë 64 vota në një proces të mëparshëm, ndërsa Bekim Sejdiu ka siguruar 74 vota.

Kreu i LVV-së bëri të ditur gjithashtu se do të zhvillojë konsultime me kryesinë e partisë për hapat e ardhshëm.

Ai foli edhe për takimin me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke thënë se të dy palët kanë shkëmbyer informacione lidhur me zhvillimet brenda partive të tyre.

Kurti pranoi se situata politike është bërë më e vështirë, por tha se mbetet optimist për gjetjen e një zgjidhjeje.

“Do të vazhdojmë të ecim tutje duke u përpjekur t’i evitojmë zgjedhjet e reja”, tha ai.

Zhvillimet e fundit lidhen me përpjekjet për konstituimin dhe funksionalizimin e institucioneve të vendit, ndërsa zgjedhja e presidentit mbetet një nga çështjet kryesore që po përcakton rrjedhën e negociatave politike.