Kosova

Haxhiu për arritjen e marrëveshjes VV-LDK: Do të kemi rezultate pozitive

Ushtruesja e detyrës së presidentes në Kosovë, njëherit deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu është shprehur optimiste se do të arrihet një marrëveshje për konstituimin e Kuvendit, mes VV-së dhe LDK-së, gjatë javës se ardhshme.

“Jam optimiste që do të kemi rezultate pozitive dhe presim që kjo të konfirmohet nga Lëvizja Vetëvendosje, përkatësisht nga kryetari i Vetëvendosjes, kryeministri Albin Kurti dhe në anën tjetër kryetari i LDK-së, zoti Lumir Abdixhiku”, tha ajo, transmeton albinfo.ch.

Ajo deklaroi se është e rëndësishme që kjo marrëveshje të përmbyllet sa më shpejtë dhe të ecin përpara.

“Uroj që marrëveshja të përmbyllet sa më parë, për shkak se është shumë e rëndësishme që të ecin përpara, duke pasur parasysh përgjegjësinë që kemi, reformat që duhet të vazhdojnë, por edhe obligimet që kemi, sidomos në rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës, në NATO, por edhe në shumë mekanizma të tjerë. Prandaj, le të shpresojmë që kjo javë që po vjen të jetë vendimtare për për procesin e ardhshëm”, tha ajo, shkruan KP.

Ndryshe, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, edhe mbrëmë është takuar me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun dhe pas takimit Kurti la të nënkuptohej se akoma s’ka marrëveshje për emrin konsensual.