Inspektorati i Mjedisit ka ndaluar punimet në shtatë gurthyes që kanë operuar në kundërshtim me rregullat dhe kushtet ligjore, ndërsa tre operatorë të tjerë janë gjobitur me 7 mijë euro.
Ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se masat janë ndërmarrë pas inspektimeve në Gjilan, Han të Elezit, Shtime, Suharekë, Mitrovicë, Viti, Lipjan dhe Prishtinë, përcjell albinfo.ch.
Procesi i verifikimit të gurthyesve ka nisur në mars, kur operatorëve u është dhënë afat prej 15 ditësh për të dëshmuar përputhshmërinë me ligjin dhe kriteret mjedisore.
Rreth 200 gurthyes kanë dorëzuar dokumentacionin, i cili është shqyrtuar nga një komision i jashtëm i angazhuar nga Ministria. Sipas Pacollit, një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk i kanë përmbushur kriteret ligjore.
Vetëm gjatë muajit gusht, punimet u janë ndaluar gjithsej 16 gurthyesve.
Pacolli ka theksuar se Inspektorati i Mjedisit do të vazhdojë kontrollet në terren dhe se ndaj operatorëve që veprojnë në kundërshtim me ligjin, ndotin mjedisin ose nuk përmbushin standardet, do të ndërmerren masa ndëshkuese.