Kosova

Familjarët e 23 të zhdukurve vizitojnë lokacionet ku u gjetën mbetjet mortore në Zubin Potok

Pas 27 vjetësh pritjeje, familjarët presin rezultatet e ADN-së për identifikimin përfundimtar të mbetjeve

Familjarët e 23 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë kanë vizituar lokacionet në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut, ku gjatë gërmimeve të fundit janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se mund t’u përkasin të afërmve të tyre.

Vizita është zhvilluar në bashkëpunim me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe institucionet përkatëse, ndërsa familjarët janë informuar nga afër për procesin e gërmimeve dhe procedurat që do të pasojnë, përcjell albinfo.ch.

Nga grupi prej 23 personash të zhdukur, 14 janë nga Komuna e Skenderajt dhe nëntë nga Mitrovica. Familjarët tashmë presin përfundimin e ekzaminimeve mjekoligjore dhe rezultatet e ADN-së, të cilat do të përcaktojnë identitetin e mbetjeve të gjetura.

Sipas të dhënave të institucioneve të Kosovës, gërmimet katërjavore në tri lokacione në Kalludër dhe Jabukë rezultuan me gjetjen dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore që vlerësohet se u përkasin së paku 23 personave.

Një pjesë e mostrave tashmë është dërguar për analiza të ADN-së, ndërsa procesi i identifikimit mund të zgjasë edhe disa muaj.