Kosova

Palatova: Rruga e Kosovës drejt BE-së kërkon formimin e institucioneve

Në takimin lamtumirës me Glauk Konjufcën, ajo kërkoi forcimin e sundimit të ligjit dhe ruajtjen e karakterit shumetnik

Ushtruesja e detyrës së shefes së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, ka zhvilluar një takim lamtumirës me zëvendëskryeministrin dhe ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.

Sipas njoftimit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Palatova ka theksuar se rruga e Kosovës drejt BE-së kërkon formimin e institucioneve, forcimin e sundimit të ligjit dhe kultivimin e karakterit shumetnik të vendit, përcjell albinfo.ch.

Palatova gjithashtu ka inkurajuar Kosovën që të vazhdojë harmonizimin me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian.

Nga ana tjetër, Konjufca e ka falënderuar Palatovën për angazhimin, bashkëpunimin dhe kontributin e saj në forcimin e dialogut ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Në takim është theksuar edhe rëndësia e avancimit të procesit të integrimit evropian të Kosovës dhe vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë me BE-në në fushat me interes të përbashkët.