Kosova
Aktakuza ndaj Fatmir Shehollit: Prokuroria pretendon lidhje me BIA-n, ndikim në zgjedhje dhe kontakte me Radoiçiqin
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”, duke paraqitur një dosje prej rreth 80 faqesh me pretendime për veprimtari të tij në koordinim me Shërbimin Informativ të Serbisë (BIA).
Sipas aktakuzës, Sheholli, nga një periudhë e papërcaktuar deri më 9 tetor 2025, dyshohet se ka vepruar si person i rekrutuar nga BIA dhe se ka zbatuar detyra të dhëna nga zyrtarë të këtij shërbimi.
Prokuroria pretendon se ai ka mbledhur dhe përcjellë përmes komunikimeve telefonike informacione dhe dokumente që lidhen me zhvillimet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Pretendimet për ndikim në zgjedhjet lokale
Një prej pjesëve kryesore të aktakuzës lidhet me pretendimet për ndërhyrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
Sipas Prokurorisë, Sheholli kishte marrë detyra nga zyrtari i BIA-s, Bojan Dimiq, me qëllim që disa materiale komprometuese ndaj zyrtarëve të Kosovës të siguroheshin dhe të publikoheshin në një moment të caktuar, në mënyrë që të ndikonin në procesin zgjedhor.
Në aktakuzë përmendet publikimi i një materiali në platformën “Pa Rrotlla” më 30 shtator 2025. Prokuroria pretendon se Sheholli ia kishte dorëzuar materialet Milaim Zekës, së bashku me 1 mijë euro, dhe se materiali kishte të bënte me presion ndaj Nenad Rashiqit.
Komunikimet me zyrtarin e BIA-s
Në telefonin e Shehollit, sipas aktakuzës, janë gjetur komunikime të shumta me Bojan Dimiqin, të cilin Prokuroria e identifikon si zyrtar të BIA-s.
Sipas dosjes, numri i Dimiqit ishte ruajtur në telefon me emra të ndryshëm, ndër ta “Gizi”, “Gazetari”, “Bojan”, “Bibi”, “Bini”, “Boki” dhe “Lista serbe”.
Analiza e të dhënave telefonike, sipas Prokurorisë, ka evidentuar 22 thirrje me kontaktin “GIZI” gjatë periudhës 18 shtator–2 tetor 2025.
Prokuroria pretendon gjithashtu se aktiviteti i Shehollit duhet parë edhe në kontekst të së kaluarës së tij. Në aktakuzë përmenden pretendime për përfshirjen e tij në struktura të sigurimit jugosllav gjatë periudhës së konfliktit në Kosovë, si dhe angazhimi i tij në Radio Televizionin e Prishtinës dhe më pas në “AS TV”.
Deklaratat publike dhe Milan Radoiçiqi
Në aktakuzë janë përfshirë edhe intervista dhe paraqitje publike të Shehollit, përfshirë disa deklarime të bëra nga Beogradi.
Prokuroria i referohet deklarimeve në të cilat, sipas saj, Sheholli kishte kritikuar UÇK-në, NATO-n dhe politikën e Shteteve të Bashkuara.
Në këtë pjesë të dosjes përmendet edhe Milan Radoiçiqi. Sipas aktakuzës, në vitin 2023, gjatë një paraqitjeje në emisionin “Kojshia Show”, Sheholli kishte zhvilluar një bisedë telefonike të drejtpërdrejtë me Radoiçiqin.
Prokuroria pretendon se gjatë kësaj bisede janë përcjellë deklarime të Radoiçiqit për praninë e tij në territorin e Kosovës dhe se Sheholli kishte përdorur edhe tone lavdëruese ndaj tij.
Sipas organit të akuzës, kjo paraqitje ka shërbyer për përcjelljen e narrativave që, sipas Prokurorisë, ishin në kundërshtim me interesat e drejtësisë në Kosovë.
Dokumentet “Top Secret” dhe plani “Leptiri”
Në dosje përmenden edhe materiale të klasifikuara me shënimin “Top secret 2”, të cilat Prokuroria i lidh me plane për destabilizimin e Kosovës dhe krijimin e një perceptimi të saj si shtet radikal dhe ekstremist.
Një tjetër dokument i përmendur në aktakuzë është një material i RDB-së serbe i vitit 2001, i njohur me nofkën “Leptiri”. Sipas Prokurorisë, ky dokument lidhet me një plan për komprometimin e Albin Kurtit gjatë kohës kur ai ishte i burgosur në Nish.
Në materialet e sekuestruara, sipas Prokurorisë, është gjetur edhe një dokument që përshkruan një plan veprimi për destabilizimin e Kosovës. Në përkthimin e tij pretendohet se udhëheqës të bashkësive islame në Serbi, Maqedoni, Bosnje dhe Kosovë ishin nën kontrollin e BIA-s.
Pretendimet për shantazh
Përveç spiunazhit, Sheholli akuzohet edhe për shantazh.
Sipas aktakuzës, nga viti 2022 deri në dhjetor 2025, ai dyshohet se ka kërcënuar biznesmenin Arben Jetullahu me publikimin e videoincizimeve dhe materialeve që, sipas Prokurorisë, mund t’i dëmtonin reputacionin.
Prokuroria pretendon se përmes këtyre kërcënimeve Sheholli kishte përfituar më shumë se 13 mijë euro. Sipas aktakuzës, kërkesat për para kishin vazhduar edhe gjatë kohës kur ai ndodhej në paraburgim në Gjilan.
Çfarë kërkon Prokuroria?
Në aktakuzën e dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Prokuroria Speciale kërkon që Sheholli të shpallet fajtor për veprat për të cilat akuzohet.
Po ashtu, kërkohet vazhdimi i paraburgimit dhe konfiskimi i mjeteve monetare dhe pasurisë së sekuestruar, sipas kërkesave të paraqitura në aktakuzë.
Të gjitha këto janë pretendime të Prokurorisë të paraqitura në aktakuzë dhe duhet të vërtetohen në procedurën gjyqësore. Fatmir Sheholli konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës.
E-Diaspora
-
Shqiptarja që shet vila milionëshe në Zvicër: Gentiana Ahmeti, “Immofluencerja” që po ndryshon mënyrën e shitjes së pronave Në një vilë luksoze në Pfäffikon, me pishinë, tavane tre metra të larta dhe mobilie të... -
Sabahat Meta për albinfo.ch: Për 7 vite, Kino Kosova është shndërruar në një urë kulturore mes Kosovës dhe Zvicrës -
Matoshi transferohet nga Fc Thun te Sturm Graz i Austrisë -
Nga Ferizaj në skenën e Miss World 2026, Blair Isufi: Ky rrugëtim është për Kosovën -
Konsullata e Kosovës në Gjenevë organizon aktivitete përkujtimore për personat e zhdukur
Jeta në Austri
-
Matoshi transferohet nga Fc Thun te Sturm Graz i Austrisë Ai largohet nga kampioni aktual i Zvicres pas 7 vitesh, për një vlerë prej 1... -
Interesim i jashtëzakonshëm për ndeshjen Austri – Kosovë, shiten 40 mijë bileta -
Austri: Ministria e Financave paralajmëron për mashtrim me ndihmën familjare -
A do të shtrenjtohen hipotekat dhe kreditë nëpër Evropë? -
Austri: Meteorologët japin paralajmërim për stuhi











