Kosova

Arrestohet një person në Prishtinë, dyshohet se shiti bileta avioni për fluturime që nuk u realizuan

Policia e Kosovës ka arrestuar një person nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi i konsumatorëve”, pas një hetimi lidhur me shitjen e biletave të udhëtimit nga një kompani private.

Rasti është denoncuar më 15 korrik 2026, kur Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit pranoi një ankesë të përcjellë nga Inspektorati i Tregut i MINT-it.

Sipas hetimeve, një familje kishte blerë gjatë korrikut të vitit 2025 bileta avioni për udhëtimin Hamburg–Prishtinë dhe kthim, duke paguar gjithsej 1,150 euro. Fluturimet, megjithatë, nuk u realizuan dhe familjarët u detyruan të siguronin bileta të reja, duke raportuar dëme shtesë prej rreth 1,600 eurosh.

Personi përgjegjës i kompanisë ishte intervistuar fillimisht më 28 korrik 2026. Në konsultim me prokurorin, atij i ishte dhënë mundësia që të kompensonte dëmin e shkaktuar. Meqë kompensimi nuk është bërë, ai është marrë sërish në pyetje më 20 gusht, këtë herë në prani të avokatit mbrojtës.

Pas intervistimit, me vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Ai dyshohet për veprën penale “Mashtrimi i konsumatorëve”, të paraparë në nenin 292 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.