Kosova
SHBA-ja kërkon zhbllokimin e institucioneve në Kosovë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kanë bërë sërish thirrje udhëheqësve politikë të Kosovës që të bashkëpunojnë për formimin e institucioneve të reja, duke respektuar Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit ka theksuar se partitë dhe liderët politikë duhet të punojnë së bashku për tejkalimin e ngërçit institucional.
“Ky ngërç i vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura për Kosovën. Është koha që udhëheqësit t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve”, ka deklaruar zëdhënësi.
Kjo është hera e dytë brenda një periudhe të shkurtër që pala amerikane kërkon publikisht bashkëpunim mes forcave politike në Kosovë. Një mesazh të ngjashëm kishte përcjellë edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë më 12 gusht.
Kuvendi vazhdon të mbetet i pakonstituuar
Thirrja e Uashingtonit vjen në një kohë kur Kuvendi i Kosovës ende nuk ka arritur ta përfundojë procesin e konstituimit pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Seanca konstituive e legjislaturës së re nisi më 6 gusht. Deputetët dhanë betimin, por procesi nuk vazhdoi me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për konsultime me partitë e tjera, duke deklaruar se ende nuk ekzistonte një marrëveshje për formimin e institucioneve. Seanca u ndërpre për të vazhduar më 8 gusht.
As në vazhdimin e seancës nuk u paraqit një kandidaturë për kryetar të Kuvendit. Kurti kërkoi sërish kohë për konsultime, ndërsa situata u tensionua pasi deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të tij. Pas incidentit, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu punimet.
Që nga ajo kohë, procesi ka mbetur i bllokuar. Dehari ka deklaruar se seanca e radhës do të thirret pasi partitë të arrijnë një marrëveshje politike, duke argumentuar se vazhdimi i saj pa një dakordim paraprak nuk do të sillte zgjidhje.
Përpjekje për marrëveshje politike
Në kuadër të përpjekjeve për të dalë nga kriza, më 18 gusht Kurti u takua me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Në qendër të diskutimeve ishte edhe çështja e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm.
Pas takimit, të dy liderët deklaruan se ekziston vullnet për të kërkuar një zgjidhje, ndërsa u pajtuan që në takimin e ardhshëm të diskutojnë edhe emra konkretë për postin e presidentit.
PDK-ja dhe AAK-ja, ndërkohë, kanë kërkuar që seanca konstituive të vazhdojë pa pritur arritjen e një marrëveshjeje politike.
Më 12 gusht, deputetë të këtyre dy partive u mblodhën në sallën e Kuvendit, duke kërkuar nga Avni Dehari që të thërrasë vazhdimin e seancës. Situata u shoqërua edhe me përplasje mes tyre dhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
BE-ja paralajmëron për pasojat e vonesave
Për zgjidhjen sa më të shpejtë të krizës institucionale ka bërë thirrje edhe Bashkimi Evropian. Brukseli ka paralajmëruar se vazhdimi i ngërçit politik dhe vonesat në zbatimin e reformave mund ta kufizojnë aftësinë e Kosovës për të përfituar nga mbështetja financiare evropiane.
Në kuadër të Planit të Rritjes, Kosovës i janë vënë në dispozicion 882.6 milionë euro në formë grantesh dhe kredish të favorshme deri në fund të vitit 2027. Megjithatë, disbursimi i mjeteve është i lidhur me përmbushjen e reformave të përcaktuara në Agjendën e Reformave.
Komisioni Evropian ka përcaktuar gjithsej 111 hapa reformues për Kosovën. Për 13 prej tyre, me vlerë të përgjithshme prej 90.8 milionë eurosh, afati i parë për përmbushje ishte 30 qershori 2026, ndërsa 27 hapa të tjerë, me vlerë prej 165.9 milionë eurosh, duhet të realizohen deri në fund të dhjetorit.
Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar se zgjatja e ngërçit politik po e kufizon përparimin e Kosovës në zbatimin e reformave dhe, rrjedhimisht, qasjen në financime të jashtme.
E-Diaspora
-
Neurokirurgu shqiptar Valon Baraliu në Gjermani: “Në neurokirurgji, puna bëhet emër” Nga Kosova drejt një karriere profesionale në Gjermani dhe në sisteme të ndryshme evropiane, Dr. med.... -
AHV 2030: Pensioni nuk vjen më vetë – pse duhet ta planifikoni më herët në Zvicër -
Nga Zvicra në Kosovë: Historia e Vali Ranch në fokus te televizioneve shqiptare -
Kino Kosova rikthehet në Bernë: Edicioni i shtatë mbahet më 9–13 shtator 2026 -
Baleti Kombëtar i Kosovës prezanton “Bolero” dhe “Correr o Fado” në Festivalin Ndërkombëtar të Baletit në Bodrum
Jeta në Austri
-
Edhe mësuesit shqiptarë nga Austria pjesë e Seminarit të Mësuesve të Diasporës Seminari i 19-të i mësuesve të diasporës në Brezovicë... -
Austri: Deri në 17 për qind më shumë natyralizime në gjysmën e parë të vitit -
Shkollat e Policisë në Vjenë përballen me vende të zbrazëta pavarësisht 900 aplikantëve -
Trenat e Aeroportit të Vjenës devijohen pas zjarrit në kabllon Praterstern -
Austri: Ka shtënë me armë mbi policët, burg i përjetshëm për kosovarin












