Kosova

Aksident tragjik në Surkish të Podujevës, humbin jetën dy vëllezër

Dy vëllezër kanë humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi të dielën në mbrëmje në fshatin Surkish të Podujevës.

Sipas Policisë së Kosovës, përplasja ka ndodhur rreth orës 22:30. Dyshohet se drejtuesi i një automjeti me targa të huaja, si pasojë e pakujdesisë, është përplasur me një veturë tjetër, e cila drejtohej nga një shtetas kosovar.

Nga përplasja kanë vdekur drejtuesi i automjetit me targa të huaja dhe pasagjeri që ndodhej në të. Të dy viktimat ishin vëllezër.

Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa më pas, me urdhër të prokurorit, është dërguar në mbajtje.