Lajme

Sot varroset 19-vjeçari nga Vitia që humbi jetën në aksident në Itali

19-vjeçari shqiptar u nda nga jeta më 24 korrik, pasi u përfshi në një aksident të rëndë trafiku gjatë rrugës nga Franca drejt Kosovës

Sot do t’i jepet lamtumira e fundit Dion Emërllahut, 19-vjeçarit nga Ramjani i Vitisë, i cili humbi jetën pas një aksidenti të rëndë trafiku në Itali, transmeton albinfo.ch.

Emërllahu ishte nisur nga Franca drejt Kosovës, së bashku me familjen e tij, për të kaluar pushimet në vendlindje.

Sipas mediumit italian “BresciaToday”, 19-vjeçari ishte duke drejtuar një furgon kur u përplas me një kamion. Pas aksidentit, atij iu dha ndihma e parë në vendin e ngjarjes, ndërsa për shkak të plagëve të rënda u transportua me helikopter në Spitalin Civil në Brescia.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, Dioni nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë më 24 korrik 2026.

Lajmi për vdekjen e tij kishte tronditur familjarët, miqtë dhe banorët e Ramjanit, ndërsa sot familja dhe të afërmit do ta përcjellin 19-vjeçarin për në banesën e fundit./Albinfo.ch