Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në një takim lamtumirës ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher, me rastin e përfundimit të mandatit të tij diplomatik, shkruan albinfo.ch.
Kurti e falënderoi ambasadorin Sprecher për bashkëpunimin e ngushtë dhe kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke vlerësuar partneritetin e ndërtuar ndër vite mes dy shteteve.
Sipas Kurtit, Zvicra ka qenë një nga mbështetëset më të rëndësishme të Kosovës që nga periudha e çlirimit, shpallja e pavarësisë dhe në procesin e ndërtimit të institucioneve shtetërore.
Ai theksoi gjithashtu rolin e diasporës shqiptare në Zvicër si urë lidhëse mes dy vendeve, duke shtuar se bashkëpunimi ekonomik dhe shkëmbimet tregtare janë në rritje dhe pritet të marrin një shtysë të re pas ratifikimit të marrëveshjes së tregtisë së lirë EFTA.
Kurti vlerësoi edhe kontributin e Zvicrës në kuadër të misionit të KFOR-it dhe përmes Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC). Ai bëri të ditur se për periudhën 2026–2029, Zvicra ka zotuar mbi 64 milionë franga zvicerane për Kosovën, pas mbështetjes prej 88 milionë frangash zvicerane të ofruara gjatë periudhës 2022–2025./Albinfo.ch