Lajme

Kusari-Lila: “SHE LEADS 2026”, një platformë që fuqizon gruan në ekonomi

"Pa fuqizimin e plotë të grave në tregun e punës dhe në ndërmarrësi , nuk mund të kemi zhvillim të qëndrueshëm dhe barazi në shoqëri"

“Në mesin e shumë grave të zonja dhe frymëzuese, isha pjesë e “SHE LEADS 2026” në Zvicër, një platformë që promovon fuqizimin ekonomik të grave, lidershipin dhe ndërmarrësinë, si një prej ngjarjeve më të rëndësishme të vitit për komunitetin shqiptar në Zvicër”.

Kështu shkruan ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, znj. Mimoza Kusari-Lila në një postim në fb, transmeton albinfo.ch.

“Kjo ngjarje nuk do të ishte e mundur pa angazhimin e palodhur të organizatoreve Lume Deari, Ganimet Bilalli dhe Sevdail Tahiri, të cilët me përkushtim dhe vizion arritën të bashkojnë gra të suksesshme nga Zvicra, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për të shkëmbyer përvojat, idetë dhe historitë e tyre të suksesit në biznes.

Më gëzon fakti që në këtë panair u prezantuan edhe 10 biznese nga Kosova, të mbështetura nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit. Kjo është dëshmi e potencialit që kanë gratë dhe bizneset tona për të depërtuar në tregjet ndërkombëtare dhe për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi me diasporën. Pa fuqizimin e plotë të grave në tregun e punës dhe në ndërmarrësi , nuk mund të kemi zhvillim të qëndrueshëm dhe barazi në shoqëri”, përundon zonja Kusari-Lila.