Lajme

Sarajeva përkujton fëmijët e vrarë gjatë rrethimit 1992–1995

Kujtimi i fëmijëve të vrarë gjatë rrethimit 1.425-ditor të Sarajevës

Në Kantonin e Sarajevës, 5 maji shënohet si ditë zie në kujtim të fëmijëve të vrarë gjatë rrethimit të qytetit në luftën e Bosnje dhe Hercegovinës, përcjell albinfo.ch.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë viteve 1992–1995 janë vrarë 1.601 fëmijë, ndërsa mbi 14 mijë janë plagosur. Të paktën 53 prej tyre janë vrarë nga snajperët.

Qeveria e Kantonit të Sarajevës ka shpallur 5 majin Ditë Kujtimi në vitin 2019. Ndërkohë, Muzeu Historik i Bosnje dhe Hercegovinës ka krijuar instalacionin memorial “Dhoma e Bardhë”, ku ekspozohen sende personale të fëmijëve të vrarë.

Rrethimi i Sarajevës zgjati 1.425 ditë dhe është konsideruar një nga periudhat më të rënda për civilët, me disa dënime të shqiptuara nga Tribunali i Hagës për krime lufte.