Zhvillim

Lajm shumë i pritur: Të enjten, Kosova nënshkruan Marrëveshjen për pensionet me Zvicrën

“Duke marrë parasysh procedurat e nevojshme sipas ligjeve dhe kushtetutave përkatëse të të dy vendeve, shpresojmë që pensionistet do të fillojnë t’i marrin pensionet gjatë vitit 2018”, thotë në intervistë ekskluzive për albinfo.ch Arban Abrashi, ministër në detyrë në Qeverinë e Kosovës

Në një intervistë ekskluzive për albinfo.ch, ministri në detyrë për punë dhe mirëqenie sociale në Qeverinë Kosovës, Arban Abrashi shpall lajmin e shumëpritur: të enjten, më 1 qershor, Kosova nënshkruan me Zvicrën Marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore. Kjo marrëveshje, e njohur më mirë si “marrëveshje për pensionet”, pritet t`i japë fund një vakumi mbi 7 vjeçar që ka mbretëruar në këtë fushë që nga 1 prilli i vitit 2010.

Abrashi në këtë intervistë flet për historikun e përpjekjeve drejt nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje. Ai, përmes albinfo.ch shpreh bindjen që funksionalizimi i marrëveshjes, gjegjësisht derdhja e pensioneve nga Zvicra në Kosovë, të fillojë jo më larg gjatë vitit 2018. Me këtë rast, ministri në detyrë u rekomandon pensionistëve të prekur nga kjo marrëveshje që të kenë kujdes në marrjen e hapave eventualë rreth pensioneve, gjegjësisht të presin fillimin e jetësimit të marrëveshjes. Abrashi falënderon aktivistë të mërgatës shqiptare të Zvicrës për sensibilizimin dhe për ndihmën profesionale që kanë dhënë rreth nënshkrimit të marrëveshjes.

Albinfo.ch: Të enjten 1 qershor 2017 do të nënshkruhet Marrëveshja për Sigurimet Sociale në mes të Kosovës dhe Zvicrës. Cila është, me pak fjalë, rruga që i ka paraprirë këtij nënshkrimi?

Arban Abrashi: Marrëveshja të cilën e kishte trashëguar Republika e Kosovës për Sigurime Sociale me Zvicrën ishte ndërprerë në vitin 2010 nga Konfederata Zvicerane. Që nga ajo kohë, kosovarët të cilët kanë arritur moshën e pensionimit nuk kanë mundur të kthehen në Kosovë dhe të përfitojnë pensionet e tyre. Me marrjen e mandatit, në fund të vitit 2014, ne kishim njohuri për gjendjen që ishte krijuar dhe e vendosëm si prioritet arritjen e një marrëveshjeje të re. Në fillim vazhduam korrespondencën me institucionet përkatëse në Zvicër, ku nga ne kërkohej që të përgjigjeshim në një pyetësor prej rreth 100 pyetjesh në lidhje me sistemin tonë pensional dhe infrastrukturën ligjore që ka Republika e Kosovës. Pasi që i kishim kthyer përgjigjet që kërkoheshin dhe pasi që kishim njoftuar autoritetet zvicerane për masat që kishim ndërmarrë për të parandaluar keqpërdorimet, autoritetet zvicerane kërkuan që të kemi një marrëveshje pilot, e cila do te dëshmonte se sistemi ynë pensional dhe infrastruktura përcjellëse ligjore janë duke funksionuar. Marrëveshja pilot u arrit në fillim të vitit 2016, dhe kishte një kohëzgjatje rreth 6 mujore. Gjatë kësaj kohe kemi trajtuar me qindra raste dhe kërkesa që vinin nga autoritetet zvicerane. Pilot projekti mori vlerësime pozitive nga ana zvicerane dhe mundësoi që të hapet rruga për fillimin e negociatave në mes të dy shteteve. Qeveria zvicerane në bazë të vlerësimit të projektit pilot në fund të vitit 2016 aprovoi nismën për fillimin e negociatave me Kosovën. Raundi i parë i bisedimeve u zhvillua në janar të vitit 2017 në Bernë të Zvicrës, ndërsa raundi i dytë, në prill të vitit 2017 në Prishtinë, ku për një kohë shumë të shpejtë u arrit të finalizohet draft marrëveshja për sigurimet sociale e cila pritet të nënshkruhet nga grupet teknike te të dyja vendeve më 1 qershor 2017.

Albinfo.ch: Vetë nënshkrimi nuk nënkupton ende fillimin e funksionimit të marrëveshjes. Priten edhe negociata tjera dhe nevojitet edhe ratifikimi nga dy parlamentet respektive. Si e mendoni ju vazhdimin e çështjes, pas nënshkrimit?

A. Abrashi: Pas nënshkrimit nga ana e grupeve negociatore, janë procedurat e parapara nga secili vend se si duhet të vazhdojë tutje deri në hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje. Pritet aprovimi nga te dyja qeveritë, nënshkrimi nga ana e ministrave përkatës dhe pastaj kalon në procedurë parlamentare, në secilin vend, deri te ratifikimi i saj.

Albinfo.ch: A keni ndonjë ide se sa kohë do të zgjasë e gjithë procedura deri sa të bëhet e mundur që pensionistët kosovarë t`i gëzojnë pensionet, edhe në rastet kur vendosin të jetojnë në Kosovë? Ndonjë datë të përafërt kur ajo do të ndodhë përfundimisht?

A.Abrashi: Duke marrë parasysh procedurat e nevojshme sipas ligjeve dhe kushtetutave përkatëse të të dy vendeve, shpresojmë që pensionistet do të fillojnë t’i marrin pensionet gjatë vitit 2018. Sa i përket Kosovës, besojmë që do t’i përfundojmë të gjitha procedurat dhe ratifikimin e marrëveshjes gjatë pjesës së dytë të vitit 2017. Ndërsa kur bëhet fjalë për Zvicrën, ata i kanë procedurat e tyre me ç’rast ne shpresojmë se edhe ata do te ecin me ritëm të njëjtë sikur Kosova në këtë drejtim. Me sa kemi parë deri më tani, nga bashkëpunimi i mirë që kemi pasur për këtë kohë besojmë që do të ecën më ritmin e duhur.

Albinfo.ch: Sigurisht që jeni në dijeni se në rastin e nënshkrimit të marrëveshjeve të tilla me shtetet tjera të dala nga ish Jugosllavia, Zvicra u ka mundësuar qytetarëve të prekur që të gëzojnë pensionet pa ndërprerje, edhe pse procedurat në mes të dy shteteve kanë zgjatur nga 2-3 e më shumë vite. Në këtë kuptim, a është paraparë që shtetasve të prekur të Kosovës, së paku gjatë kësaj kohe, nga nënshkrimi e deri te fillimi i zbatimit përfundimtar të marrëveshjes, t`u mundësohet marrja e pensioneve? Në përgjithësi, a i jeni qasur gjatë negociatave kësaj problematike?

A.Abrashi: Më lejoni t’ju përkujtoj se Kosova që nga viti 2010 nuk ka marrëveshje me Zvicrën përderisa shtetet tjera gjatë kohës së negocimit të marrëveshjes së re kanë vazhduar ta kenë në fuqi marrëveshjen e vjetër. Vakumi 5 vjeçar e ka sjellë Kosovën në situatë që çdo gjë të nisë nga fillimi. Mungesa e interesimit dhe iniciativave për hapjen e negociatave në këto 5 vite nga qeveritë e kaluara na e ka humbur atë mundësi. Sigurisht që ne e kemi hapur këtë çështje që në fillim të negociatave por për shkak të rastit tonë paksa më specifik që sapo e përmenda, ka qene e pamundur që të ketë ri-implementim te marrëveshjes së vjetër përderisa jemi duke negociuar marrëveshjen e re dhe të parë të këtij lloji.

Albinfo.ch: Cila ka qenë, sipas palës zvicerane, arsyeja e anulimit të marrëveshjes në mes të Zvicrës dhe ish-Jugosllavisë vetëm në raport me kosovarët, ndërkohë që ka vazhduar të funksionojë në raport me shtetet tjera të dala nga ajo. Si e kanë arsyetuar ata këtë anulim?

A. Abrashi: Pala zvicerane ka marrë vendim për ndërprerjen e marrëveshjes në vitin 2010 për shkak të humbjes së besimit në institucionet e Kosovës që të kontrollojnë dhe parandalojnë keqpërdorimet nga qytetarë kosovarë të cilët synonin përfitime në mënyrë të padrejtë nga sistemi pensional zviceran. Bile siç mund ta dini, një rast keqpërdorimi nga një zyrtar i lartë kosovar pati bërë jehonë të madhe në të dy shtetet.

Sidoqoftë, që nga atëherë kanë kaluar më shumë se shtatë vite dhe ne jemi fokusuar në arritjen e marrëveshjes së re. Për ne janë me rëndësi tri gjëra: që sa më shpejtë të arrihet marrëveshja e re, ta kthejmë besimin e një shteti mik siç është Zvicra dhe të fillojë implementimi i marrëveshjes në mënyrë që bashkatdhetarët tanë t’i gëzojnë pensionet e tyre.

Albinfo.ch: Siç e dini, me anulimin nga ana zvicerane të marrëveshjes sociale Zvicër-Jugosllavi në raport me Kosovën, qytetarët kosovarë që kanë punuar në Zvicër, tash 7 vjet janë të privuar nga shfrytëzimi i pensioneve në rast kthimi në Kosovë. 7 vjet është një kohë e gjatë dhe ndërkohë shumë prej qytetarëve të prekur kanë marrë përmes rrugëve të ndryshme kapitalin e grumbulluar në fondin pensional, pa e pritur nënshkrimin e marrëveshjes. Ka edhe të tjerë që ndërkohë e kërkojnë dhe e marrin këtë fond. Çfarë u rekomandoni ju atyre: A ja vlen të presin deri në fillimin e funksionimit të marrëveshjes?

A.Abrashi: Të gjithë të prekurve u rekomandojmë që para se të marrin çfarëdo vendimi, të konsultojnë ligjin zviceran dhe të shohin se cilat janë mundësitë e tyre. Pala zvicerane ka dhënë përgjigje në shumë pyetje lidhur me gjendjen e krijuar dhe i ka të postuara ne gjuhën shqipe në faqen e vet të internetit. Ato gjithashtu mund të gjenden edhe në ministrinë tonë. Varësisht prej kohës së pritjes dhe varësisht se si e shohin situatën e tyre personale, çdo njeri duhet ta vlerësojë vetë a të presë apo të fillojë procedurat tjera qe parashihen me ligjet e Zvicrës. Siç e cekëm me lartë, ne shpresojmë që gjatë vitit të ardhshëm të fillojë implementimi i marrëveshjes së re.

Albinfo.ch: Ka pasur gjatë kësaj kohe dhe vazhdon të ketë edhe tash, përpjekje nga avokatë e matrapazë të ndryshëm për të përfituar nga e keqja e pensionistëve kosovarë të Zvicrës. Ata u kanë marrë para të majme atyre duke u premtuar nxjerrjen e pensionit. Çfarë u thoni ju pensionistëve në fjalë, tash, në prag të nënshkrimit të marrëveshjes?

A.Abrashi: Pensionistëve u sugjerojmë të konsultohen mirë para se ta marrin hapin e radhës, ta konsultojnë ligjin zviceran, ta shikojnë se cili është interesi i tyre dhe të kenë kujdes nga matrapazët, siç e theksuat edhe ju. Duke pasur parasysh se jemi në prag të arritjes së marrëveshjes, pensionistët duhet ta vlerësojnë vet se cili është opsioni më i volitshëm për ta.

Albinfo.ch: Cili ka qenë kontributi, respektivisht presioni që diaspora ka bërë për sensibilizimin tuaj (të Qeverisë së Kosovës) për të përshpejtuar punët në lidhjen e marrëveshjes së re?

A.Abrashi: Ne jemi konsultuar me pjesëtarë të diasporës tonë lidhur me këtë çështje dhe jemi shume falënderues për ndihmën profesionale që disa prej tyre na e kanë ofruar. Kontributi i tyre më domethënës ka qenë në sensibilizimin tonë rreth urgjencës së kësaj çështjeje, rreth mohimit të së drejtës së tyre për shkak të neglizhencës së institucioneve tona. Diaspora jonë e ka ndihmuar Kosovën me dekada të tëra dhe tash është radha jonë që të jemi të përgjegjshëm karshi kërkesave të saj.

Albinfo.ch: Zvicra ka vendosur së fundi që në marrëveshjet sociale me shtetet tjera të fusë edhe klauzolën që obligon të dy shtetet për të observuar, përgjuar rastet e dyshimit për abuzim me pensionet. A është paraparë kjo klauzolë në marrëveshjen e pritshme?

A.Abrashi: Përmbajtja e marrëveshjes, deri në nënshkrimin e saj nga grupet teknike, mbetet çështje e mbyllur për opinion sipas marrëveshjes paraprake mes të dyja palëve. Por, atë që ju po pyetni, ne jemi tashmë duke e implementuar në Kosovë dhe kjo ka dhënë rezultate konkrete pasi që kemi arritur të largojmë një numër të madh keqpërdoruesish dhe abuzuesish të sistemit tonë pensional. Puna e jonë në këtë drejtim ka qenë edhe një nga arsyet që e ka ndihmuar fillimin e negociatave për marrëveshje të re. Ne e kemi bindur palën zvicerane me punën dhe seriozitetin tonë në këtë drejtim si dhe me rezultatet e arritura në dy vitet e fundit. Keqpërdoruesit do të vazhdojmë t’i ndjekim përmes rrugëve ligjore sepse nuk guxojmë të lejojmë që të keqpërdoret paraja e tatimpaguesve kosovare e as e atyre te vendeve tjera.

Ja përse  nuk do të ketë pensione, deri në fillimin e zbatimit të marrëveshjes

Vakumi 5 vjeçar e ka sjellë Kosovën në situatë që çdo gjë të nisë nga fillimi, thotë Abrashi për albinfo.ch. Mungesa e interesimit dhe iniciativave për hapjen e negociatave në këto 5 vite nga qeveritë e kaluara na e ka humbur atë mundësi. Sigurisht që ne e kemi hapur këtë çështje që në fillim të negociatave por për shkak të rastit tonë paksa më specifik që sapo e përmenda, ka qene e pamundur që të ketë ri-implementim te marrëveshjes së vjetër përderisa jemi duke negociuar marrëveshjen e re dhe të parë të këtij lloji.