Opinioni shqiptar me kohë është informuar se në Zvicër disa muaj më parë është themeluar Këshilli Organizativ për Shënimin e 30-Vjetorit të Demonstratave të vitit 1981 në Kosovë dhe Mërgatë. Në kuadër të veprimtarisë së vet, ky këshill, veç tjerash ka paraparë organizimin e një tribune në të cilën me referate e kumtesa do të flitet rreth rëndësisë politike dhe historike të ngjarjeve të Pranverës së Madhe 1981.
Tribuna është e hapur për të gjithë veprimtarët, publicistët, historianët, pjesëmarrësit e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë dhe mërgatë si dhe për të gjithë krijuesit e artistët shqiptarë dhe të huaj, punimet e të cilëve do të hedhin dritë mbi ngjarjet e vitit 1981.
Temat duhet të jenë domosdoshmërisht të lidhura me demonstratat e vitit 1981si për shembull: Si u organizuan këto demonstrata; rëndësia e tyre politike dhe historike; pjesëmarrja e femrës shqiptare në këto demonstrata; ndikimi i organizatave ilegale në demonstrata; ndikimi i literaturës dhe shtypit nga Shqipëria; roli i mërgatës shqiptare në përkrahje të këtyre demonstratave; demonstratat e bashkatdhetarëve gjatë vitit 1981 nëpër botë; portrete të veçanta të demonstruesve të vrarë e të plagosur, protagonistë të veçantë të këtyre ngjarjeve; pse këto demonstrata u shpallën kundërrevolucionare; cili ishte vlerësimi politik i këtyre demonstratave nga organet shtetërore dhe partiake të asaj kohe në Kosovë e ish – Jugosllavi, numri i të burgosurve politikë si dhe tema tjera të ngjashme që nuk dalin përtej ngjarjeve të vitit 1981.
Lidhur me këtë është formuar Komisioni për Vlerësim dhe Redaktim, i cili kërkon nga të gjithë referuesit që të bazohen në fakte, shifra dhe ngjarje konkrete të asaj periudhe. Kumtesat gjithsesi duhet të mbështeten në realitetin e kohës, pa pretendim për t’i zvogëluar apo rritur. Me një fjalë kriter kryesor për leximin e kumtesave e referateve dhe pastaj botimin e tyre në një libër të përbashkët që do të botohet në 30-vjetorin e këtyre ngjarjeve, do të jetë argumenti dhe fakti historik. Përshkrimet, fyerjet, të pavërtetat, lëvdatat e panevojshme, inatet, lokalizmat, pikëpamjet politike e partiake në asnjë rast nuk do të lejohen të jenë tema diskutimi a referimi. Ndaj kërkojmë me rigozitetin më të madh që gjithçka që shkruhet të jetë e mbështetur në fakte, mundësisht e shoqëruar me foto, zë autokton, faksimile dorëshkrimesh dhe fusnota.
Me këtë rast Këshilli Organizativ fton të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të paraqiten në tribunë me punimet e tyre të paraqiten sa më parë në këta numra telefoni : 079 290 94 92, 076 266 75 14, 076 203 02 21
Afati i fundit për dorëzimin e kumtesave është data 27.02. 2011.
Simpoziumi mbahet më datën 06 mars 2011 në restorant Pizzeria POSTHOF, Zürcherstr. 164, 5432 Neuenhof (Afër Wettingen-it)