Kosova

28 vjet nga nisma për faljen e gjaqeve në Kosovë

Kanë kaluar 28 vjet që nga ngjarja më e madhe për faljen e gjaqeve në Kosovë.

Në tubimet e shumta u ndërpre hasmëria mes shqiptarëve, dikush fali gjakun e babait, dikush të birit e dikush të vëllait.

Më 2 shkurt të vitit 1990 në fshatin Lumbardh të Komunës së Deçanit, disa studentë të rajonit të Dukagjinit, ish-të burgosur politikë, filluan aksionin për pajtimin e familjeve shqiptare në hasmëri, aksion ky që u shndërrua në një lëvizje për pajtimin e gjaqeve.

Lumbardhi ishte shembulli më i mirë për të gjitha trevat shqiptare kështu than ata të cilët ishin protagonist të asaj kohe.  Në saje të angazhimit të shumë veprimtarëve në krye me Anton Çettën kjo lëvizje gjithëpopullore arriti të pajtojë mbi 1 mijë gjaqe e ngatërresa ndërshqiptare. Nisma të tilla janë organizuar edhe më parë nëpër treva të ndryshme shqiptare, por organizimi i viteve 1990 kishte para vetes edhe një “mision të madh”: mobilizimin e shqiptarëve për rezistencë çlirimtare, shkruan RTK.

Më 1 maj të vitit 1990 te vendi i quajtur Varret e Llukes, në Komunën e Deçanit, u grumbulluan rreth gjysmë milioni shqiptarë, në përkrahje të kësaj lëvizjeje.

Para 28 vitesh në aksionin për pajtimin e gjaqeve, që kulmoi me tubimin te “Verrat e Llukës“ në Deçan, u falën 1275 gjaqe dhe ngatërresa.

Viti 1990 padyshim ishte viti më i organizuar dhe më frytdhënës i kombit shqiptar që hyri në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë.