Zvicra po vazhdon mbështetjen për përmirësimin e shërbimeve të urgjencës mjekësore në Shqipëri, përmes pajisjeve dhe trajnimeve për profesionistët shëndetësorë, transmeton albinfo.ch.
Së fundmi, 12 qendra shëndetësore dhe 8 spitale bashkiake kanë marrë pajisje mjekësore, përfshirë defibrilatorë, aparatura EKG, pulsoksimetra, çanta urgjence dhe mjete të tjera për ndërhyrje dhe shpëtim të jetës.
Pajisjet i bashkohen trajnimeve të zhvilluara më herët për profesionistët e shëndetësisë në kuadër të projektit “Solidar Albania”, me synim forcimin e kapaciteteve të shërbimeve të urgjencës dhe përmirësimin e reagimit në kohë.
Mbështetja synon të kontribuojë në rritjen e cilësisë së kujdesit emergjent dhe në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në zona të ndryshme të Shqipërisë.
Nisma mbështetet nga bashkëpunimi zviceran në Shqipëri, në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe strukturat përkatëse të shërbimeve të urgjencës./Albinfo.ch