Lajme

Vjenë: Festivali nga Prishtina solli para publikut austriak filma të përzgjedhur nga edicionet e kaluara

Në Wolkersdorf, Vjenë, festivali “Art Without Limit International Film Festival” solli para publikut austriak filma të përzgjedhur nga edicionet e kaluara nga Prishtina.
Në këtë ngjarje, para shfaqjes së filmave, para audiencës mbajtën fjalë drejtoresha e festivalit Ganimete Sava ,drejtori artistik Burim Haliti si dhe menaxheri për marrëdhënieve ndërkombëtare Michael Stoeger.
“Në këtë ngjarje morën pjesë rreth 300 spektatorë, austriakë nga shoqëria civile, organizata të aftësisë së kufizuar, përfaqësues lokalë dhe qytetarë. Ngjarja u nderua me praninë e figurave të njohura të kinemasë botërore, si Veit Heiduschka, producent i filmit Amour nga Michael Haneke, si dhe Peter Macdonald, i njohur për kontributin në projekte si Superman, Rambo III, Harry Potter dhe Cabaret. Të dy kanë qenë gjithashtu anëtarë jurie në edicionet e kaluara të festivalit. Ngjarja u organizua nga KulturWolke, Hans Peter Arzberger dhe Michael Stoeger, së bashku me stafin dhe vullnetarët e mrekullueshëm”, thuhet në njoftim, transmeton albinfo.at.
Ndër filmat e tjerë u shfaq edhe filmi “Sara” i prodhuar nga Art Without Limit teksa para të pranishmëve mbajti një fjalë rasti vet Sara protagoniste e filmit, ndërsa mbrëmja u përmbyll me një performancë në piano nga Unik Ukshini.
Aktiviteti u përkrah edhe nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ku të pranishëm ishin znj. Lindita Rexha, znj. Marigona Vrajolli dhe z. Bekim Shllaku.