Skip to content

Zvicër: Propozohet paga minimale prej 5 mijë frangash për punëtorët me shkollim profesional

Sipas të dhënave të sindikatave, aktualisht 28% e punëtorëve që kanë përfunduar një formim profesional fitojnë më pak se 5 mijë franga në muaj, ndërsa 15% e tyre marrin paga nën 4,500 franga

Në Zvicër po diskutohet një iniciativë e re për vendosjen e pagës minimale prej 5 mijë frangash në muaj për të gjithë punëtorët që kanë përfunduar një shkollim profesional. Propozimi vjen nga presidenti i Unionit Sindikal Zviceran (USS), Pierre-Yves Maillard, i cili kërkon përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e fuqisë blerëse të punonjësve të kualifikuar.

Sipas të dhënave të sindikatave, aktualisht 28% e punëtorëve që kanë përfunduar një formim profesional fitojnë më pak se 5 mijë franga në muaj, ndërsa 15% e tyre marrin paga nën 4,500 franga. Këto shifra bazohen në një orar të plotë pune prej 40 orësh në javë dhe 13 paga vjetore, transmeton albinfo.ch.

Situata është veçanërisht shqetësuese për gratë. Sipas analizës, një në tri gra me kualifikim profesional fiton më pak se 5 mijë franga në muaj, ndërsa pothuajse një në pesë merr më pak se 4,500 franga.

Maillard ka kritikuar punëdhënësit, duke theksuar se, megjithëse promovojnë shkollimin profesional si një nga rrugët më të mira drejt punësimit, pagat që ofrojnë shpesh nuk janë të mjaftueshme për të përballuar koston e jetesës në Zvicër.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se pagat reale të punëtorëve me shkollim profesional kanë rënë me 2.1% krahasuar me vitin 2016. Në fillim të karrierës, këta punëtorë fitojnë mesatarisht 4,571 franga në muaj, ndërsa në fund të karrierës arrijnë në 6,289 franga. Për krahasim, personat me diplomë universitare fillojnë me rreth 6,189 franga dhe në fund të karrierës arrijnë në 10,438 franga.

Një sondazh përfaqësues, i realizuar me porosi të USS-së, tregon se 66% e të anketuarve mbështesin vendosjen e një page minimale të përcaktuar me ligj, ndërsa 25% janë kundër.

Iniciativa pritet të shqyrtohet në kongresin e Unionit Sindikal Zviceran në fund të kësaj jave. Nëse miratohet, sindikatat do të fillojnë përgatitjen e projektit, ndërsa mbledhja e nënshkrimeve për iniciativën popullore mund të nisë gjatë vitit 2027.