Gruaja që humbi jetën në të shtënat me armë zjarri gjatë një feste rave në Zvicër ishte shtetase italiane, bëri të ditur të dielën Ministria e Jashtme e Italisë.
Sipas ministrisë, zyrtarë të ambasadës italiane janë dërguar në vendngjarje, pranë Cyrihut, për të ndjekur nga afër hetimet lidhur me incidentin.
Ministri i Jashtëm zviceran, Ignazio Cassis, ka telefonuar homologun e tij italian, Antonio Tajani, për t’i shprehur ngushëllimet pas ngjarjes, thuhet në deklaratën e ministrisë italiane.
Policia zvicerane është vënë në kërkim të të paktën një personi të armatosur, i cili hapi zjarr gjatë festës në Aarau. Nga të shtënat mbeti e vrarë shtetasja italiane, ndërsa pesë persona të tjerë u plagosën, disa prej tyre në gjendje të rëndë.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit dhe shkaktoi panik mes pjesëmarrësve në festë, të cilët u përpoqën të largoheshin për t’u mbrojtur.
Të shtënat me armë zjarri janë një ngjarje relativisht e rrallë në Zvicër, pavarësisht traditës së gjatë të posedimit të armëve në vend.
Hetimet për zbardhjen e rrethanave të incidentit dhe identifikimin e autorit ose autorëve janë duke vazhduar.