Gjuha

Takim mes miqsh nën tingujt e muzikës popullore shqiptare

Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Gëzuar” në vigjilie të përfundimit të vitit shkollor ka tubuar në palestrën “Villa Tacchini “ në Petit- Lancy të Gjenevës,prindër, nxënës ,shokë e miq të shumtë para të cilëve ka shfaqur një program të pasur kulturoro-artistik. Në nisje të kësaj ngjarje koreografi i këtij ansambli Z. Xhemali Berisha, ka falënderuar prindërit e fëmijëve solistë e valltarë për kontributin e dhënë në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Berisha gjatë fjalës së tij ka thënë: “Nuk dua të minimizoj punën e askujt por meritat më të mëdha për këto suksese u takojnë solistëve dhe valltareve të ansamblit “ Gëzuar” e që në fakt ata janë fëmijët tanë.”Mua më bënë të lumtur tepër e dhëna që pjesa dërmuese e anëtarëve të ansamblit tonë janë nxënës e studentë të shkëlqyeshëm të fakulteteve dhe kolegjeve të ndryshme të Gjenevës.

Disa nga ata së shpejti do të pajisen me diplomë mjeku,juristi, ekonomisti ,psikologu etj. Kurse grupi tjetër i atyre akoma më të rinj në fund të gushtit të sivjetmë fiton të drejtën e frekuentimit të mësimeve dhe ligjëratave në shkolla të mesme ,gjegjësisht në fakultete të ndryshme të Universitetit të Gjenevës . Ndërkaq vogëlushët paralelisht me këngën dhe vallëzimin fillojnë zënien e dijeve në shkollat e ciklit të ultë të këtij kantoni .

Kjo për mua është baras me mrekulli tha në fund të diskutimit të tij Z. Xhemali Berisha koreograf shumëvjeçar i këtij ansambli.

Më pas fjalën e ka marrë producenti i ansamblit “Gëzuar” Z. Nexhmedin Ilazi i cili së pari ka përshëndetur autoritetet komunale të kantonit të Gjenevës, të cilat në forma të ndryshme po e mbështesin rriten dhe zhvillimin e ansamblit “Gëzuar”. Ai ka bërë publike ndihmën e marrë nga komunat: Confignon,Onex,Meyrin e Vernier për të cilat ka shprehur falënderim dhe mirënjohje të veçantë. Po ashtu falënderime kanë shkuar edhe në adresë të sipërmarrësve shqiptarë dhe të individëve të cilët me dëshirën më të madhe po i aktivizojnë fëmijët e tyre në këtë ansambël e njëkohësisht po ofrojnë edhe donacione të kohëpaskohshme siç është rasti me Z. Azem Hyseni pronar i ndërmarrjes “ HYSENI CONSTRUCTIONS SARL” nga Gjeneva.

Gjithashtu Ilazi ka falënderuar Dr. Rifat Haxhijajn,i cili nëpërmjet një letre elektronike dërguar stafit udhëheqës të Ansamblit “Gëzuar” ka përgëzuar profesorin Berisha dhe grupin e valltarëve për prezantimin e tyre të shkëlqyer në manifestimin “Ditët e Agimit”. I cytur nga kjo paraqitje mbresëlënëse e këtyre të rinjve Dr. Rifat Haxhijaj, ka gjetur kohë që sot të jetë pjesë e këtij solemniteti. Z. Haxhijaj i specializuar në Universitetin e Gjenevës ,në sferën e sociologjisë së përgjithshme si njohës i mirë i problemeve të mobilitetit hapësinor dhe social thotë: “Ndihma dhe përkrahja dhënë ansamblit “Gëzuar” është investim në vetveten ngase paraqitjet e këtij ansambli po na ofrojnë gjithnjë e më shumë me miqtë tanë zviceranë dhe komunitetet e tjera që jetojnë dhe veprojnë në Gjenevë e gjetiu”.

Në tubim prezantuan dhe aktivistët e vyeshëm Avdil Hazma përfaqësues i “Rrethit Shqiptar-Meryrin-as” dhe Lah Jashari i deleguar nga shoqata “Smira”e Gjenevës . Me kusht që të ruhet dhe të fuqizohet edhe më tepër bashkëpunimi edhe ashtu i shkëlqyer ndërmjet ansamblit “Gëzuar” dhe grupit folklorik “Rapsodët” e Gjenevës, në tubimin e sotëm ishin Z. Xhevat Shabiu dhe Z.Naim Demi udhëheqës dhe këngëtarë të njohur të këtij grupi.

Ndërkaq Z. Ismet Kurteshi kryetar i ansamblit “Gëzuar” të cilit çdoherë i bije mbi supe barra e rezervimit të sallave apo palestrave sportive thotë: “Në ansamblin “Gëzuar” jemi një treshe drejtuese që kurrfarë vendimi nuk ndërmarrim pa u konsultuar me njëri-tjerin. Harmonia jonë po manifestohet edhe tek djemtë e vajzat e ansamblit të cilët jo vetëm në ansambël por edhe jashtë tij shquhen me sjelljet e tyre shembullore. Mirësjellja,toleranca dhe respektimi i kulturave të të tjerëve ka bërë që të jemi të adhuruar nga të gjithë”. Z. Kurteshi para të pranishmeve falënderoi komunën Grand-Lancy të Gjenevës,e cila për nevojat e ansamblit “Gëzuar” tash pesë vjet ofron falas ambientet e “VillaTacchini “.

Ndërkomunikimet kulturore të ansamblit “Gëzuar” me këtë komunë nuk përfundojnë me kaq. Z. Frédéric Renevey kryetar i komunës Grand-Lancy çdo vit asiston në tubimet e ansamblit “Gëzuar”. Ai duke mbajtur fjalë rasti uron dhe motivon për suksese të reja djem e vasha të këtij ansambli.
Kurse ansambli “Gëzuar” në përpjekje për ta rikthyer ndihmën e ofruar çdoherë u përgjigjet pozitivisht ftesave për pjesëmarrje në programet kulturore të organizuara nga komuna Grand-Lancy e Gjenevës. Këngët dhe vallet tona popullore i ka në shpirt edhe zonja Myriam Rossier,banore e kësaj komune. Ajo idol e ka ansamblin “Gëzuar” të Gjenevës, edhe pse me mundësi të kufizuara materiale zonja Rossier çdo muaj ndan mjete modeste në përkrahje të këtij ansambli. Në shenjë mirënjohje për kontributin e dhenë ajo u ftua nga Kryetari i ansamblit “Gëzuar” Z.Kurteshi që të shpreh përshtypjet e saj rreth aktiviteteve të këtij ansambli.

Zonja Rossier të pranishmeve iu drejtua me fjalët:” Besoni në sinqeritetin tim askund nuk ndihem më e relaksuar se sa në ansamblin “Gëzuar” më pëlqejnë këngët tuaja të bukura e për vallet as që gjejë fjalë t,i përshkruajë sepse ato më pushtojnë të tërën ngase janë fenomenale”.
“ Ndihma që unë ofroj është simbolike për këtë arsye edhe nuk kam dashur ta bëjë asnjëherë publike. Sikur të isha në pozitë më të mirë materiale nuk do të më dhimbsej as dhjetëfishi i asaj që unë jap për këta solistë e valltarë të mrekullueshëm”. Me të përfunduar fjalën e saj të gjithë u ngritën në këmbë dhe me duartrokitje të gjata e falënderuan atë për respektin e treguar ndaj trashëgimisë sonë kulturore.

Pas analizës së përgjithshme të punëve në ansamblin “Gëzuar” të pranishmit i kanë argëtuar motrat Ejona e Vjendita Stojkaj, tashmë të afirmuara në fushën e muzikës. Ato më këngët “Diaspora” dhe “Erdhi ditë e pavarësisë”kanë mbajtur në këmbë shikuesit të cilët gjatë gjithë kohës u kanë duartrokitur për origjinalitetin dhe zërin e ëmbël. Në finish të programit pak minuta janë lënë në dispozicion edhe për vogëlushen Vesa Ilazi e cila ka ekzekutuar në flautë . Ajo në këtë paraqitje të parë ka dhënë sinjale të qarta se me një qasje pak më serioze në punë mund të bëjë emër në lëmin e artit muzikor.

Pas kësaj paraqitje grupi i vajzave për gjatë dy orëve ka luajtur valle të përzgjedhura të të gjitha trojeve tona . Lojën plot gjallëri të tyre e kanë shoqëruar baballarë, nëna,vëllezër,motra, shokë e miq të cilët janë dëfryer së bashku deri në orët e paditës. Me të përfunduar programi shqiptarë e zviceranë kanë drekuar së bashku. Ushqimet sikur herëve të tjera kanë qenë të përgatitura nga duart e nënave dhe të motrave tona . Miqtë zviceranë si çdoherë mirënjohës kanë falënderuar ato për cilësinë e ushqimeve si dhe për mundin, dhe kanë premtuar që edhe në të ardhmen do ta mbështesin aktivitetin e këtyre të rinjve,të cilët me prezantimet e tyre të shkëlqyera çdo ditë po ndërtojnë ura miqësie ndërmjet njerëzve.

Në fund si zakonisht treshja udhëheqëse e Ansamblit “Gëzuar” e përfaqësuar nga Z. Kurteshi, Z.Berisha dhe Z. Ilazi atyre që kanë ndihmuar në çfarëdo forme qoftë popullarizimin e këtij ansambli në shenjë nderimi u ka ndarë mirënjohje.