Shkolla Shqipe në Walenstadt zë një vend të veçantë në historikun e arsimit plotësues shqip në Zvicër. Ajo njihet si një ndër pikat shkollore më të suksesshme të LAPSH-it, jo vetëm në kantonin e St. Gallenit, por edhe në nivel të Zvicrës. Për shumë vite, kjo shkollë ka qenë një vatër e rëndësishme e edukimit kombëtar, ku breza të tërë nxënësish shqiptarë kanë mësuar gjuhën e nënës, historinë, kulturën dhe traditat e popullit shqiptar, transmeton albinfo.ch.
Pas një pauze disavjeçare, kjo vatër e dijes dhe e atdhedashurisë po ringjallet përsëri, falë përkushtimit dhe angazhimit të njerëzve që e kanë për zemër shkollën shqipe.
E veçanta e kësaj rihapjeje është bashkëpunimi ndërmjet ish-mësuesit dhe ish-nxënëses së tij.
Dr. Vaxhid Sejdiu, i cili për vite me radhë ka punuar dhe vepruar në Walenstadt, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në organizimin dhe zhvillimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, rikthehet me një nismë të re për rihapjen e kësaj pike shkollore.
Kësaj radhe, përkrah tij qëndron ish-nxënësja e tij, Arbëreshë Nuhiu, e cila dikur ishte vetë nxënëse e shkollës shqipe, ndërsa sot angazhohet për t’u krijuar mundësi brezave të rinj që ta mësojnë dhe ta ruajnë gjuhën e të parëve.
Ky është një shembull domethënës i vazhdimësisë së misionit të shkollës shqipe në mërgatë: nxënësit e dikurshëm bëhen sot mbështetës dhe organizatorë të shkollës ku vetë kanë mësuar.
Falë angazhimit të përbashkët, bashkëpunimit me prindërit shqiptarë dhe përpjekjeve të pandërprera gjatë disa javëve, u krijuan kushtet për rihapjen e kësaj pike shkollore.
Mësimi në Shkollën Shqipe në Walenstadt do të zhvillohet nën drejtimin e mësueses Habibe Ramadani, e cila merr përsipër misionin fisnik të mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe edukimit të brezit të ri në frymën e dashurisë për gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar.
Një shkollë që lidh brezat dhe ruan identitetin kombëtar
Rihapja e Shkollës Shqipe në Walenstadt është më shumë sesa hapja e një klase mësimore. Ajo përfaqëson vazhdimësinë e një misioni kombëtar, përmes të cilit fëmijët shqiptarë që rriten në Zvicër kanë mundësi të mësojnë gjuhën amtare dhe të forcojnë lidhjet me rrënjët e tyre.
Në një kohë kur ruajtja e gjuhës shqipe në mërgatë përballet me sfida të shumta, çdo klasë e re dhe çdo nxënës që ulet në bankat e shkollës shqipe përbën një fitore të rëndësishme për të ardhmen e gjuhës sonë.
Shembulli i Walenstadt-it dëshmon se puna e mësuesve nuk përfundon me largimin e nxënësve nga bankat shkollore. Ajo vazhdon të japë fryte edhe pas shumë vitesh, kur ish-nxënësit kthehen për të ndihmuar brezat e rinj.
Rasti i Arbëreshë Nuhiut është dëshmia më e bukur se shkolla shqipe nuk përgatit vetëm nxënës që dinë të lexojnë e të shkruajnë shqip, por edhe njerëz që e duan gjuhën e tyre dhe marrin përgjegjësi për ruajtjen e saj.
Shkolla Shqipe – LAPSH “Naim Frashëri” në Zvicër shpreh mirënjohje të veçantë për Arbëreshë Nuhiun, për angazhimin dhe përkushtimin e saj në rihapjen e kësaj pike shkollore, si dhe për mësuesen Habibe Ramadani, e cila do të kujdeset për mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Një falënderim i veçantë u drejtohet edhe prindërve shqiptarë të Walenstadt-it dhe rrethinës, të cilët, duke i regjistruar fëmijët në shkollën shqipe, dëshmojnë përgjegjësinë dhe dashurinë e tyre për gjuhën amtare.
Le të shërbejë rihapja e Shkollës Shqipe në Walenstadt si shembull dhe frymëzim edhe për vendbanimet e tjera shqiptare në Zvicër!
Sepse aty ku hapet një shkollë shqipe, forcohet një lidhje me atdheun, ruhet një pjesë e identitetit tonë kombëtar dhe ndërtohet një urë ndërmjet brezave.
Gjuha shqipe është pasuria jonë më e çmuar – ta ruajmë dhe ta përcjellim brez pas brezi!