Kuvendi i Kosovës ka dështuar sërish të përmbyllë procesin e zgjedhjes së nënkryetarëve, ndërsa vazhdimi i seancës është caktuar për të dielën në orën 10:00, përcjell albinfo.ch.
Në seancën e sotme ishin të pranishëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë.
LDK-ja deklaroi se nuk do të votojë për kandidat për nënkryetar, duke kundërshtuar kërkesën e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, që kjo parti të propozojë kandidatin e saj.
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se partia e saj nuk e sheh të arsyeshme të propozojë kandidat, përderisa PDK-ja ende nuk ka paraqitur kandidatin e saj.
Ndërkohë, PDK-ja nuk mori pjesë në seancën e sotme, e cila u thirr dy herë brenda ditës. Në mbledhjen e parë, deputetët nuk arritën ta zgjedhin kandidaten e PDK-së për nënkryetare, Vlora Çitaku.
Pas zhvillimeve të sotme, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, bëri të ditur se punimet do të vazhdojnë të dielën në orën 10:00./Albinfo.ch