Botërori 2026

Shkodran Mustafi, shqiptari i vetëm me trofe të Kupës së Botës

Mbrëmjen e finales së Botërorit 2026, vëmendja e gjithë botës është përqendruar në New Jersey, ku Spanja dhe Argjentina përballen për trofeun më të madh të futbollit.

Por historia e Kupës së Botës lidhet edhe me një futbollist me prejardhje shqiptare. Në vitin 2014, kur Gjermania triumfoi në Brazil pas fitores 1:0 ndaj Argjentinës në finale, pjesë e atij ekipi ishte edhe mbrojtësi Shkodran Mustafi.

Mustafi kontribuoi në rrugëtimin e gjermanëve drejt titullit të kampionit të botës dhe deri më sot mbetet lojtari i vetëm shqiptar që ka fituar një Kupë të Botës.

I lindur në Gjermani me origjinë shqiptare, Mustafi ka zhvilluar 20 paraqitje me fanellën e përfaqësueses gjermane dhe ka shënuar dy gola. Ai e mbylli karrierën si futbollist në vitin 2024, por vazhdon të jetë i përfshirë në futboll, tashmë në rolin e ndihmëstrajnerit te Kombëtarja U21 e Gjermanisë.

Me ekipin U21 gjerman, Mustafi po synon kualifikimin në Kampionatin Evropian që do të organizohet vitin e ardhshëm nga Shqipëria dhe Serbia.

Gjatë karrierës si lojtar, mbrojtësi shqiptar ka luajtur për disa klube të njohura evropiane. Ai ka mbrojtur ngjyrat e Arsenalit, ku regjistroi 135 paraqitje dhe nëntë gola, ndërsa ka luajtur edhe për Sampdorian, Valencian, Evertonin, Schalken dhe Levanten, që ishte skuadra e tij e fundit para pensionimit.

Suksesi i tij me Gjermaninë në vitin 2014 e ka vendosur Mustafin në një vend të veçantë në historinë e futbollit shqiptar, si i vetmi futbollist shqiptar që ka ngritur lart trofeun e Kupës së Botës/albinfo.ch/