Organi përgjegjës për rregullat e futbollit, IFAB, ka pranuar zyrtarisht se përjashtimi i sulmuesit të Zvicrës, Breel Embolo, në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026 ndaj Argjentinës ishte rezultat i një zbatimi të gabuar të protokollit të VAR-it, transmeton albinfo.ch.
Sqarimi vjen pas shqyrtimit të incidentit të diskutueshëm që ndodhi në minutën e 72-të të ndeshjes. Në fillim, gjyqtari ndëshkoi me karton të verdhë mesfushorin argjentinas Leandro Paredes për një ndërhyrje ndaj Embolos. Megjithatë, pas rishikimit të pamjeve me VAR, vendimi u ndryshua: kartoni iu anulua Paredesit, ndërsa Embolo u ndëshkua me karton të verdhë për simulim.
Duke qenë se sulmuesi zviceran kishte marrë më herët një karton të verdhë, ai u përjashtua nga loja me kartonin e dytë, duke e lënë Zvicrën me një futbollist më pak në një moment vendimtar të takimit.
Sipas IFAB-it, ndërhyrja e VAR-it në këtë rast nuk ishte në përputhje me protokollin. Organi thekson se rregulli për “gabimin e identitetit” zbatohet vetëm për të identifikuar futbollistin e duhur që ka kryer një shkelje dhe nuk lejon ndryshimin e interpretimit të një incidenti apo ndëshkimin e një lojtari tjetër.
Ky sqarim konfirmon se Breel Embolo nuk duhej të ishte përjashtuar nga ndeshja. Zvicra u detyrua të vazhdonte sfidën me dhjetë lojtarë dhe më pas u eliminua nga Argjentina me rezultatin 3:1 pas kohës shtesë, në një nga ndeshjet më të debatueshme të Botërorit 2026./Albinfo.ch