Lajme

Rënia e shitjeve të makinave në Evropë, tregu në krizë për vitin 2025

Numri i makinave të regjistruara në Evropë ka pësuar një rënie të konsiderueshme gjatë dy muajve të parë të vitit 2025, me ulje prej 3 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Tregjet kryesore—Gjermania, Italia dhe Franca—kanë regjistruar rënie të shitjeve, ndërsa Spanja ka përjetuar rritje prej 8 %.

Sipas raportit të Shoqatës Europiane të Prodhuesve të Automjeteve, gjatë muajve janar–shkurt u regjistruan 1.68 milion makina private, krahasuar me 1.74 milion të regjistruara në 2024. Ky trend rënës është reflektuar edhe në fabrikat e prodhimit, ku grupet e mëdha si Volkswagen, Stellantis, Mercedes-Benz, Toyota dhe Tesla kanë prodhuar më pak njësi se vitin e kaluar.

Ndikimi i konkurrencës dhe kalimi drejt makinave elektrike kanë ndikuar ndjeshëm në linjat e prodhimit, teksa automjetet me naftë dhe benzinë zënë gjithnjë e më pak hapësirë në rrugët e Evropës.

Në Shqipëri ende nuk ka të dhëna zyrtare nga Drejtoria e Transporteve për importin e mjeteve në vitin 2025, por, bazuar në ecurinë e vitit të kaluar, pritet që të regjistrohen rreth 8 000 makina çdo muaj, me dominim të automjeteve me lëndë djegëse.