Skip to content

Mbi 40 shkolla shqipe nisin vitin e ri mësimor në Britani, “Ardhmëria” mirëpret nxënësit

Përgatitjet për vitin e ri shkollor kanë përfshirë organizimin e mësimit, trajnimin e mësueseve dhe bashkëpunimin me prindërit, në funksion të ruajtjes së gjuhës shqipe te brezat e rinj të diasporës.

Mësimi i gjuhës shqipe ka rifilluar në mbi 40 shkolla shqipe në Londër dhe zona të tjera të Mbretërisë së Bashkuar, ku fëmijët e familjeve shqiptare do të kenë mundësinë të mësojnë gjuhën e prindërve dhe të ruajnë lidhjen me prejardhjen e tyre, transmeton albinfo.ch.

Në mesin e organizimeve që kanë nisur vitin e ri mësimor është edhe Shoqata “Ardhmëria”, e cila prej muajsh ka punuar për përgatitjen e procesit mësimor. Krahas organizimit të orëve mësimore, angazhimi ka përfshirë përgatitjen e materialeve, trajnimin e mësueseve të reja dhe koordinimin me prindërit e administratat e shkollave.

Një pjesë e stafit pedagogjik kontribuon vullnetarisht në këtë veprimtari, duke e bërë mësimin e shqipes një angazhim që kërkon përkushtim edhe jashtë orarit të zakonshëm të punës.

Sipas shoqatës, mbështetja e familjeve të mësueseve është gjithashtu e rëndësishme, veçanërisht për ato që, krahas përgjegjësive profesionale dhe familjare, angazhohen edhe në përgatitjen e mësimeve. Në këtë proces, rol kanë edhe bashkëshortët dhe familjarët që u qëndrojnë pranë mësueseve.

Përgatitjet për fillimin e vitit shkollor janë mbështetur edhe nga prindërit, të cilët gjatë muajve të verës kanë komunikuar me shoqatën për regjistrimin e fëmijëve dhe organizimin e mësimit.

Nisja e vitit të ri mësimor në këto shkolla shënon vazhdimin e përpjekjeve të komunitetit shqiptar në Britani për t’ua përcjellë gjuhën amtare brezave të rinj, përmes angazhimit të mësueseve, prindërve dhe organizatave të diasporës./Albinfo.ch