Skip to content

Rama: Studentët në protestë janë pengje të grupit të zjarrit

Edi Rama pretendoi se studentët që marrin pjesë në protestë janë pengje të grupit të zjarrit

Kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi se protesta e dhunshme, që vijon prej pesë ditësh, frymëzohet nga zhvillimet në vende të tjera të botës.

Sipas tij, veçantia e Shqipërisë qëndron në faktin se këto ngjarje ndodhin në një moment kur vendi është pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian në vitin 2030.

Rama pretendoi se studentët që marrin pjesë në protestë janë pengje të grupit të zjarrit.

“Ndërkohë që këtu, në bulevard, është një pjesë shumë e vogël e studentëve të ekstremizuar, të ideologjizuar dhe të verbuar nga ide ekstremiste, të cilat po shfaqen në të njëjtën formë në Paris, Romë, Milano, Torino, Portugali dhe Brazil, në një valë të përgjithshme, protesta jonë ka specifikën e vet.

Ajo është pjesë e kësaj vale të përgjithshme, nga ku merr frymëzimin dhe lëndën e parë, por edhe pjesë e një përpjekjeje të madhe për t’i bërë këtij vendi atë që i ka ndodhur sa herë ka pasur shansin në histori të ngrejë kokën dhe të marrë frymë. Kur është më afër se kurrë ëndrrës historike, i vjen kjo formë terrorizuese murtaje, e gjitha e inskenuar. Nuk janë në Shqipëri, nuk e duan Shqipërinë.

Rinia po, është e frustruar dhe e inatosur. Studentët po, duan më shumë, duan ndryshim. Gjithmonë e kanë dashur dhe gjithmonë do ta duan, sepse është në natyrën e qenies së tyre. Por, me keqardhje të madhe, them se kjo rini dhe këta studentë që janë në bulevard janë pengje të atij grupi të zjarrit në krye, të atyre me maska, ku përdoren gjerësisht edhe të miturit.

Të miturit përdoren si mburoja për të përparuar dhe për të marrë terren, duke ia bërë të pamundur shtetit dhe policisë që të reagojnë me forcë, me fëmijë të vegjël. Aty brenda është edhe krimi. Është një dorë e huaj”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se shteti nuk do të dorëzohet përballë dhunës gjatë protestave, ndërsa ftoi qytetarët që duan dialog të takohen me të në Kryeministri, në fakultet apo në një format tjetër komunikimi.

Rama iu drejtua edhe të rinjve që, sipas tij, qëndrojnë në protestë pa pasur qëllim të hedhin gurë, por që përballen me persona të maskuar dhe me mjete të forta. Ai theksoi se kjo situatë, sipas tij, do ta bëjë Shqipërinë më të fortë.

‘Shteti nuk dorëzohet përpara gurëve dhe kush dorëzohet nuk e merr veten për vite. Ftoj këdo që do të bëjë dialog, këdo që do të më takojë, këdo që do të flasi me kamera me fotografi pa fotografi, në kryeministri, në fakultet, sim und ti bëjmë gjërat më mirë, por po flas me ato djem dhe vajza që rrinë atje jo për të gjuajtur me gurë, por në parajojë kanë gurët, maskat, dhe pastaj thonë na lëndoi policia. Aty nuk bëhet balet as nuk luhet futboll.

Kush më çon mesazh dhe gurë me maska mua dhe shtetin e ka përballë, kjo që po ndodh Shqipërinë do e bëjë më të fortë’, tha Rama.