Skip to content

Aeroporti i Rinasit mohoi fikjen e dritave, Sali Berisha: Dyshova se ia mbathi Rama

Aeroporti i Rinasit ka mohuar ndërprerjen e energjisë elektrike, gjë që nxiti shumë reagime mbrëmjen e së premtes, por kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha tha sot se dyshoi se kryeministri Edi Rama mund të ishte larguar nga vendi.

Ai deklaroi se kishte marrë mesazhe për fikjen e dritave jashtë dhe brenda aeroportit.

“Në fakt e dyshova shumë, thashë se ia mbathi. Po të flas të vërtetën. Thashë se ia mbathi, për më tepër kur u përpoqa ta verifikoj, më thanë se aeroporti brenda kishte drita, por vetëm jashtë. Atëherë mu forcua dyshimi më shumë. Mirëpo më vonë më dërgoi një qytetar mesazhin se aeroporti kishte edhe brenda errësirë. Kështu që nuk mund të them, por në qoftë se kanë munguar dritat vetëm jashtë, të garantoj që është prova e sigurt që përgatitet t’ia mbathë bashkë me disa nga anëtarët e organizatës nga Shqipëria. Por e garantoj që kudo të shkojë në botë, ligji dhe vetëm ligji do ta ndjekë nga mbrapa”, ka thënë ai, raporton a2cnn, transmeton albinfo.ch.

Ndryshe, mbrëmjen e djeshme Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës sqaroi se në asnjë moment nuk ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike në terminal.

“Ndërprerja ka prekur vetëm ndriçimin e fasadës së aeroportit për disa minuta, pa ndikuar në asnjë moment në aktivitetin operacional dhe në vijimësinë normale të fluturimeve”, thuhej në postimin e aeroportit.