Zhvillim

Rama, mërgimtarëve: “Ne kemi shumë për të mësuar nga ju!”

Në mesin e 15 të shpërblyerve me trofeun ”Shqiponja e artë” që u ndanë me këtë rast, ishte edhe platforma albinfo.ch

Me mbrëmjen Gala që u mbajt në Pallatin e Kongreseve u shënua edhe mbyllja e Samitit të parë të Diasporës. Mbrëmja në fjalë zgjoi emocione përmes pikave artistike të cilat u prezantuan  si suksese të punës së diasporës.

Pas hapjes, ishte kryetari i Parlamentit Shqiptar, Ilir Meta që ju drejtua pjesëmarrësve. Ai vlerësoi kontributin e lartë të mërgimtarëve në shumë drejtime.  Po ashtu nga personalitetet politike kanë folur edhe ministri i diasporës i Republikës së Kosovës, Valon Murati dhe Shpëtim Idrizi, nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë dhe kryetar i PDIU.

Në vazhdim janë shfaqur disa pika artistike të përzgjedhura ndërkohë që është bërë edhe ndarja e trofeve “Shqiponja e artë” individëve dhe shoqatave nga diaspora.

Në mesin e 15 të shpërblyerve me trofeun ”Shqiponja e artë”, ishte edhe platforma albinfo.ch. Duke falënderuar për çmimin, drejtori i saj, dr. Bashkim Iseni tha se ky vlerësim na motivon që të punojmë edhe më shumë në të ardhmen. Ai ka theksuar se albinfo.ch shërben si një urë lidhëse në mes të mërgimtarëve shqiptarë në Zvicër dhe vendeve të prejardhjes së tyre. Por jo vetëm kaq, platforma luan një rol të tillë edhe në mes të shtetit gjegjësisht shoqërisë zvicerane dhe shteteve përkatëse ballkanike, ka thënë më tutje Iseni. Ai ka falënderuar edhe institucionet zvicerane, të cilat kanë mbështetur dhe po vazhdojnë ta mbështesin projektin që tashmë vlerësohet nga shumë anë si një rrëfim suksesi, albinfo.ch .

Ndër të shpërblyerit ishte edhe politikani arbëresh i Italisë, Mario Brunneti. Ai ka meritat më të mëdha për futjen e arbërishtes si gjuhë që mësohet në shkollat në regjionet ku jetojnë arbërshët në jug të Italisë. Po ashtu “Shqiponjën e artë” e ka fituar edhe mësimdhënësja shqiptare që punon në Selanik, Greqi, Aurela Konduri. Ajo është nga Fieri dhe për vite të tera punon në mësimin plotësues të gjuhës shqipe, në Greqi.  Ndërsa Elmi Berisha ka marrë trofeun në emrin e Unionit Global të Bizneseve Shqiptare.

Ndërkaq për fare në fund koha ishte rezervuar për fjalën e kryeministrit Rama, i cili bëri një rekapitullim të gjithë aktivitetit. Ashtu si edhe parafolësit tjerë edhe Rama falënderoi të pranishmit për gatishmërinë dhe kontributin e mërgimtarëve të cilët e kanë mbajtur Shqipërinë gjallë në këto vite të demokracisë.

“Jua them me shumë sinqeritet, mbase ne praktikisht nuk kemi asgjë për t’ju mësuar, por e kemi organizuar këtë Samit, sepse jemi të vetëdijshëm që kemi shumë për të mësuar nga ju. Dhe ne duam, unë ëndërroj që ky Samit i Diasporës të kthehet në një universitet sezonal, ku nuk janë më të gjithëditurit e një shoqërie që rri dhe vetëm flet, por janë historitë e suksesit, janë historitë njerëzore të atyre që mund të jenë bërë shumë të famshëm, apo të atyre që askush nuk i njeh, por që së bashku, pa dallim na bëjnë të ndihemi krenarë që jemi bashkatdhetarë dhe bashkatdhetare të tyre”, ka thënë kryeministri.

Ai, në kuadër të synimeve të Qeverisë Shqiptare ka nxitur mërgimtarët që të  kyçen në shfrytëzimin e shërbimeve konsullore që ka filluar t`i ofrojë qeveria shqiptare. Kryeministri Rama dha se stafi i qeverise së është duke e perfeksionuar një platformë online, e cila do të jetë plotësisht gati në fillim të vitit 2017. Me këtë platformë, qytetari shqiptar me një klikim të vetëm kudo qe të ndodhet do të ketë mundësi informimi dhe shërbimi pa pagesë nga qendrat konsullore.

Ndërkaq lidhur me strategjinë e koordinimit sa më të mirë të institucioneve të dy shteteve shqiptare, siç ka thënë Rama, ai edhe njëherë ka përsëritur se Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë objekte te përbashkëta konsullore. Në hyrje të këtyre objekteve do të vendosen dy flamuj, ka thënë ai, duke theksuar se një pamje të tillë fqinjët tanë nuk janë mësuar ta shohin. Por ne nuk e bëjmë këtë për të provokuar fqinjët dhe as miqtë tanë, ka thënë veç tjerash Rama.

Në përgjithësi të pranishmit janë ndarë të kënaqur, si për idenë e organizimit, ashtu  edhe për gatishmërinë e Qeverisë Shqiptare për të çuar përpara shume projekte te përbashkëta që zhvillojnë Shqipërinë.