Prokuroria e Shtetit ka nisur hetimet lidhur me incidentin e raportuar me rreze laserike që kanë penguar fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, përcjell albinfo.ch.
Në një përgjigje për mediat e Kosovës, Prokuroria bëri të ditur se është iniciuar rasti për veprën penale “Rrezikimi i sigurisë së aviacionit civil”, ndërsa me autorizim të prokurorit të rastit, Policia e Kosovës dhe njësitet përkatëse kanë filluar grumbullimin e provave.
“Pas pranimit të informatës lidhur me një incident me dritë laserike ndaj një mjeti fluturues, Prokurori i Shtetit ka iniciuar veprën penale ‘Rrezikimi i sigurisë së aviacionit civil’. Me autorizim të prokurorit të çështjes, Policia e Kosovës dhe njësitet përkatëse janë duke mbledhur provat e nevojshme lidhur me këtë rast. Për çdo zhvillim të mëtejshëm do të njoftoheni me kohë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Hetimet janë iniciuar pasi u raportua se disa aeroplanë që u nisën nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” u rrezikuan nga rreze laserike të drejtuara ndaj tyre.
Autoritetet po punojnë për identifikimin e personave përgjegjës, ndërsa rasti po trajtohet si cenim i sigurisë së aviacionit civil./Albinfo.ch