Kosova

Personalitete austriake urojnë kosovarët për liberalizimin e vizave

Albinfo.at ka marrë mesazhet e disa personaliteteve dhe politikanëve austriakë, të cilët kanë dhënë kontribut të madh ndër vite për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës

Më në fund erdhi dita! Shteti më i ri i Evropës të festojë së bashku me Vitin e Ri 2024 një hap drejt Komunitetit Evropian.

Me lirimin e vizave dhe udhëtimeve të lira në Evropë, Kosova shënon një arritje të madhe, pasi procesi i liberalizimit zgjati aq shumë, pavarësisht se Kosova i kishte bërë gjithnjë mirë detyrat e shtëpisë.

Kur kishin mbetur vetëm pak ditë deri te liberalizimi i vizave për kosovarët, albinfo.at ka marrë mesazhet e disa personaliteteve dhe politikanëve austriakë, të cilët kanë dhënë kontribut të madh ndër vite gjatë këtij procesi.

 

Ulrike Lunacek, ish-raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian

“Më në fund ia dolëm! Mirë se vini në BE, shtetase dhe shtetas të Kosovës! Nga 1 janari më në fund mund të udhëtoni në të gjitha vendet e BE-së për tre muaj, vetëm ose me familjen dhe/ose miqtë tuaj, lirisht dhe pa vizë!

E di që ka zgjatur shumë – disa vende anëtare të BE-së hezituan shumë, edhe pse Parlamenti Evropian (duke përfshirë mua në rolin tim si raportuese për Kosovën në atë kohë) dhe Komisioni Evropian kishin dhënë dritën e gjelbër shumë vite më parë. Por tani ka ardhur koha: Ju mund të vizitoni të afërmit dhe miqtë tuaj! Mund të udhëtoni në qytete që keni dashur t’i njihni prej kohësh; Ju mund të takoni njerëz me të cilët jeni në kontakt përmes internetit; ose thjesht mund të udhëtoni në BE për të parë nëse ajo i mban premtimet që bën brenda BE-së – ose, si me liberalizimin e vizave, kërkon shumë më tepër kohë sesa është premtuar për t’u zbatuar.

Sido që të jetë, ju uroj shumë gëzime dhe takime të mira në udhëtimet tuaja pa viza në shtetet anëtare të Unionit – dhe Viti i Ri 2024 ju sjelltë fat, shëndet dhe suksese!”

Andreas Schieder, deputet austriak (SPÖ) në Parlamentin Evropian

Kosova është Evropë dhe shtëpia e saj është BE-ja. Këtë qëllim duhet ta mbajmë gjithnjë para syve edhe në kohërat e vështira që po përjetojmë. BE-ja duhet t’i qëndrojë në krah Kosovës duke e marrë rolin e saj si ndërmjetëse shumë seriozisht. Fokusi kryesor duhet të vendoset në normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, duke arritur dhe zbatimin rigoroz të tyre. Liberalizimi i vizave është një marrëveshje që duhet të ishte zbatuar me kohë, dhe për këtë kam luftuar edhe unë në Parlamentin Evropian.“

Kati Schneeberger, presidente e shoqatës “Vienna goes Europa”

“Më në fund mbaron izolimi i njerëzve në Kosovë, ata mund të udhëtojnë tashmë lirisht në BE për të zbuluar larmitë e saj. Në këtë mënyrë mund të rritet dhe të fuqizohet Evropa“.

 

Robert Pichler, albanolog austriak

“Kishte ardhur koha që kjo padrejtësi e pashembullt të korrigjohet. Është me rëndësi të madhe që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë lirisht në të gjithë BE-në, si në Turqi. Duke qenë se për çështjen e Pavarësisë së Kosovës në disa shtete të BE-së ende nuk ka pajtim, shpresoj që BE-ja të gjejë këtu alternativë për ta afruar Kosovën sa më pranë demokracisë, shtetit ligjor dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Vetëm kështu mund të tejkalohen dhe zbehen disnivelet dhe pabarazitë në Evropë.“

Gunther Fehlinger, anëtar i Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Austri 

“Liberalizimi i vizave për Kosovën është një ngjarje historike që për fat të keq vjen me një dekadë vonesë. U kërkoj falje evropianëve nga Kosova për këtë dështim. E vetmja formë e arsyeshme dhe e justifikuar e faljes është tani pranimi i shpejtë në BE, më 1 maj 2029. Para kësaj, dhe më i rëndësishëm është pranimi i Kosovës në NATO në vitin 2024 si përgjigje ndaj tmerrit dhe terrorit të Serbisë ndaj Kosovës në Banjska, më 24 shtator 2023.

Motoja për dekadën e ardhshme të integrimit në BE tani duhet të jetë barazia ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, të dyja të sigurta së bashku në NATO dhe të barabartë si anëtarë dhe qytetarë të BE-së në vitin 2029”.