Skip to content

Përplasen dy trena në Pragë të Çekisë, dhjetëra persona të plagosur

Një aksident i rëndë hekurudhor është regjistruar këtë të martë në Pragë të Çekisë, ku dy trena janë përplasur me njëri-tjetrin, duke shkaktuar dhjetëra të plagosur, sipas raportimeve paraprake, përcjell albinfo.ch.

Sipas informacioneve të përditësuara nga shërbimet emergjente, 46 persona kanë mbetur të plagosur, katër prej tyre në gjendje kritike, me lëndime që u rrezikojnë jetën. Ndërsa 12 persona kanë pësuar lëndime më të rënda, por jo kërcënuese për jetën, dhe rreth 30 të tjerë kanë marrë lëndime të lehta. Të gjithë të plagosurit janë transportuar në spitalet e Pragës.

Përplasja ndodhi rreth orës 07:00 të mëngjesit, në një urë hekurudhore mbi rrugën Seifertova, pranë stacionit kryesor të trenave në Pragë. Në vendngjarje intervenuan policia, zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës, ndërsa të gjithë pasagjerët e dy trenave u evakuuan.

Si pasojë e aksidentit, qarkullimi hekurudhor në linjën përkatëse u ndërpre përkohësisht. Ndërkohë, trenat e distancave të gjata u ridrejtuan drejt stacioneve të tjera të kryeqytetit çek.

Shkaqet dhe rrethanat e përplasjes janë duke u hetuar nga autoritetet përkatëse. /Albinfo.ch