Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar për përfundimin e fazës së parë të restaurimit dhe konservimit të kullës së Adem Qerim Osdautaj në fshatin Isniq, përcjell albinfo.ch.
Bëhet fjalë për një monument me rëndësi historike që daton nga fillimi i shekullit XIX dhe që konsiderohet pjesë e trashëgimisë kulturore dhe historike të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti theksoi se institucionet do të vazhdojnë punën për restaurimin dhe mbrojtjen e objekteve që dëshmojnë historinë dhe identitetin kombëtar.
Sipas tij, kulla ndër vite ka qenë simbol i familjes shqiptare dhe i qëndresës së popullit, ndërsa faza përfundimtare e restaurimit pritet të nisë së shpejti.
“Investimi në trashëgimi kulturore është investim në kujtesën tonë kolektive, gjurmët historike, identitetin kombëtar dhe zhvillimin kulturor e turistik të vendit”, ka deklaruar Kurti./Albinfo.ch