Lajme

Pensioni i 13-të në Zvicër, pagesa mesatare do të jetë 1,580 franga

Pensioni i 13-të AHV/AVS do të paguhet për herë të parë në dhjetor, ndërsa shuma që do të marrin pensionistët do të ndryshojë në varësi të situatës së tyre individuale.

Pensionistët në Zvicër do të marrin mesatarisht 1,580 franga nga pensioni i 13-të AHV/AVS, ka bërë të ditur Zyra Federale e Sigurimeve Shoqërore, transmeton albinfo.ch.

Pagesa e re do të realizohet për herë të parë në dhjetor 2026. Megjithatë, jo të gjithë përfituesit do të marrin të njëjtën shumë, pasi pagesa varet ndër të tjera nga statusi martesor dhe vendbanimi.

Sipas të dhënave të publikuara, pensioni mesatar mujor në Zvicër ishte 1,969 franga në vitin 2025, ndërsa për personat që jetonin jashtë vendit mesatarja ishte vetëm 702 franga.

Dallimi lidhet edhe me faktin se shumë pensionistë që jetojnë jashtë Zvicrës kanë kontribuar në sistemin zviceran vetëm gjatë një pjese të jetës së tyre profesionale dhe, rrjedhimisht, kanë boshllëqe në periudhat e kontributeve.