Në Tivat të Malit të Zi ka nisur sot punimet Samiti i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, një takim i nivelit të lartë ku marrin pjesë liderë të vendeve të rajonit dhe përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian, përcjell albinfo.ch.
Republika e Kosovës në këtë samit përfaqësohet nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, e cila pritet të marrë pjesë në diskutimet kryesore të forumit.
Sipas njoftimit nga Presidenca, punimet e samitit do të fokusohen në perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, zbatimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, si dhe çështjet që lidhen me sigurinë, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.
Gjatë pjesëmarrjes së saj, Haxhiu pritet të riafirmojë përkushtimin e Kosovës për procesin e integrimit evropian, si dhe kërkesën për trajtim të drejtë dhe të barabartë në kuadër të procesit të zgjerimit të BE-së.
Po ashtu, ajo do të theksojë rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit rajonal si një element kyç për paqe, stabilitet dhe zhvillim ekonomik në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Samiti në Tivat konsiderohet një nga forumet e rëndësishme politike mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të rajonit, në një periudhë kur procesi i zgjerimit dhe reformat në vendet aspirante mbeten në qendër të agjendës evropiane. /Albinfo.ch