Sipas dokumenteve zyrtare, ajo ka lindur më 19 gusht 1909 dhe ka kaluar pothuajse të gjithë jetën në një fshat shqiptar, e lidhur ngushtë me natyrën dhe jetën tradicionale, transmeton albinfo.ch.
Qamile Marra, 117-vjeçarja shqiptare, ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. BBC i ka kushtuar një profil jetës së saj të jashtëzakonshme, duke ngritur mundësinë që ajo të jetë personi më i moshuar në botë.
Referuar të dhënave të publikuara në dokumente të ndryshme zyrtare, Marra ka lindur më 19 gusht 1909, në kohën e sundimit osman. Ajo ishte 36 vjeçe pak para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe ka jetuar për më shumë se një shekull, duke dëshmuar ndryshime të mëdha historike e shoqërore.
Pothuajse tërë jetën e saj e ka kaluar në një fshat shqiptar, ku është marrë me kultivimin e ushqimeve dhe kujdesin për bagëtinë. E rrethuar nga pemët frutore, ajo ka ruajtur një mënyrë jetese tradicionale, të lidhur ngushtë me tokën dhe natyrën, shkruan BBC Global Women.
Po ashtu, një prononcim për agjencinë franceze të lajmeve AFP, Marra e ka përmbledhur filozofinë e saj për jetëgjatësinë me fjalët: “Jeton aq gjatë sa ka vendosur Zoti”.
Nëse datëlindja e saj konfirmohet zyrtarisht, Qamile Marra do të ishte dy ditë më e moshuar se britanikja Ethel Caterham, e njohur nga Guinness World Records si personi më i moshuar në botë që është ende gjallë.
Megjithatë, pretendimi se Marra është personi më i moshuar në botë mbetet i pakonfirmuar zyrtarisht. Historia e saj ka nxjerrë në pah një jetë të gjatë, të kaluar larg ritmit të qyteteve dhe në harmoni me traditat e fshatit shqiptar./Albinfo.ch
Për më shumë shikoni intervisten – Këtu