Kosova

Në Prishtinë: me autobus, taksi apo Rent a Car?  

Pasi kanë arritur me aeroplan në Prishtinë, turistët preferojnë transportin publik, por zgjidhja më e lehtë dhe më e shpejtë mund të jetë taksi (nëse nuk ka kolonë)  

Keni ardhur për pushime në Kosovë dhe Prishtina është pika e parë me të cilën vendosni kontaktin me Kosovën. Nëse dëshironi të ndaloni pak në Prishtinë,të dhënat në vijim mund të ju hyjnë në punë.

Prishtina, si kryeqyteti i Kosovës është njëherësh qyteti i dytë më i madh i banuar me shqiptarë në Evropë, pas Tiranës.  

Prishtina është nyja më e rëndësishme e transportit të Kosovës, për ajrin, hekurudhat dhe rrugët. Aeroporti ndërkombëtar i qytetit është aeroporti më i madh i vendit dhe ndër më të mëdhenjtë në rajon. Një sërë autostradash, të tilla si R 6 dhe R 7, rrezatojnë qytetin dhe e lidhin atë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.  

Prishtina është kryeqyteti si dhe qendra më thelbësore ekonomike, financiare, politike dhe tregtare e Kosovës, kryesisht për shkak të vendndodhjes së saj të rëndësishme në qendër të vendit.  

Aeroporti  

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” është një aeroport ndërkombëtar i vendosur 15 kilometra në jugperëndim të Prishtinës, kryeqytetit të Kosovës.  

Nga aeroporti mund të shkoni me autobus apo taksi, si dhe me “Rent a Car”. Me taksi është rreth 20 minuta dhe kushton 25 euro.  

Autobusë  

Autobusët në Kosovë që frekuentohen shpesh janë të shpejtë, të pastër dhe në gjendje të mirë. Stacioni i autobusëve në Prishtinë shërben në gjithë Kosovën dhe në destinacione ndërkombëtare. Stacioni kryesor gjendet 2 km në jugperëndim të qytetit afër bulevardit “Bill Clinton”. Që të shkoni atje ju nevojitet të merrni një taksi, ose me transport publik mund të merrni linjën 10. Për parking ju duhet të blini një biletë e cila kushton 1 euro.  

Gjithashtu ka dhjetëra autobusë ndërurban, te të cilët një biletë kushton 50 cent për një drejtim.   

Taksi  

Në Prishtinë ka shërbime të ndryshme të taksive me kushte përafërsisht të njëjta. Fillimi është 1.5 km (2 euro), kurse për çdo kilometër të kaluar rritet për 60 cent. Në përgjithësi vozitja prej një fundi në fundin tjetër të Prishtinës nuk kalon çmimin prej 10 eurosh. Ka edhe disa shoferë te licencuar individualë me taksimetra të ndryshëm prej taksimetrit të zakonshëm që ndonjëherë janë më të volitshëm, por jo çdoherë.  

Skuterë dhe biçikleta   

Kur të arrini në qytet dhe nëse nuk preferoni veturën, atëherë ka edhe forma të tjera për të lëvizur. Një ndër to është edhe me skuterë, apo edhe të huazoni një biçikletë. Prishtina ofron mundësi të mira për vozitje me biçikletë në parkun e Gërmisë ku mund të marren biçikleta me qira. Çmimi është 2 euro për 1 orë.  

Me tren  

Prishtina ka dy stacione të trenit. Prishtina ka një tren që udhëton çdo ditë nga Prishtina në Shkup. Treni i merr udhëtarët në Prishtinë në orën 13:00 në stacionin kryesor, i cili është shumë lehtë të humbet, nëse jeni me vonesë. Stacioni i trenit gjendet në pjesën industriale të Prishtinës, menjëherë poshtë kodrës në lagjen e Dragodanit. Udhëtimi për në Shkup zgjat përafërsisht 4 orë.  

Biletat janë relativisht të lira, duke filluar nga 0.30 euro deri në 3 euro për udhëtime brenda kufijve. Rrjeti hekurudhor i Kosovës ofron disa lloje të biletave: njëdrejtimëshe, dydrejtimëshe, bileta me zbritje (për studentë, pensionistë), bileta mujore. 

Rent a Car 

Vetëm në Aeroportin e Prishtinës operojnë dhjetëra  kompani „Rent a Car” që kanë zyrat e tyre edhe në Prishtinë. 

Çmimet e veturave Rent a Car në Kosovë, për një ditë, janë nga 30 euro, për makina më ekonomike teksa ato luksozet arrijnë çmimin deri në 200 euro. Vetura jepet për një afat kohor 24 orë dhe llogaritet si një ditë. Në rastet kur kemi të bëjmë me mos kthim të makinës në orën e kërkuar, kompanitë aplikojnë pagesë ekstra. Zakonisht ora e parë vonesë tolerohet, ndërsa më pas fillon aplikimi i çmimit sipas kushteve që kanë kompanitë. 

Çmimi është treguesi kryesor në të cilin përqendrohen qiramarrësit. Sa më e gjatë periudha e qiramarrjes aq më i lirë është çmimi ditor i qirasë. 

 

Me taksi, fillimi është 1.5 km (2 euro), kurse për çdo kilometër të kaluar rritet për 60 cent 

Prishtina ofron mundësi të mira për vozitje me biçikletë në Parkun e Gërmisë ku mund të marren biçikleta me qira. Çmimi është 2 euro për 1 orë 

Prishtina ka dy stacione të trenit. Prishtina ka një tren që udhëton çdo ditë nga Prishtina në Shkup 

Çmimet e huazimit të veturave, për një ditë, janë nga 30 euro, për makina më ekonomike teksa ato luksozet arrijnë çmimin deri në 200 euro. 

 

Fotot: Bujar Gashi