Skip to content

Borë në Kosovë, nesër temperaturat pritet të zbresin deri në minus 5 gradë

Reshjet e borës kanë nisur në Kosovë, ndërsa ekipet e mirëmbajtjes po pastrojnë rrugët dhe po trajtojnë me kripë segmentet me ngrica.

Reshjet e borës kanë nisur sot në Kosovë, ndërsa moti i ftohtë pritet të vazhdojë edhe të dielën, me temperatura nën zero, përcjell albinfo.ch.

Sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, nesër, më 29 nëntor, do të mbajë mot kryesisht i vranët, me reshje bore. Temperaturat minimale pritet të lëvizin nga minus 5 deri në minus 3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 1 deri në 3 gradë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit e Kosovës ka njoftuar se ekipet e mirëmbajtjes së rrugëve janë në terren dhe në gatishmëri 24-orëshe.

Me uljen e temperaturave, po vazhdon pastrimi i borës dhe trajtimi me kripë i segmenteve ku ka ngrica, me vëmendje të veçantë në zonat malore.

Drejtuesve të automjeteve u kërkohet kujdes i shtuar, përshtatje e shpejtësisë me kushtet e rrugës dhe vëmendje ndaj ekipeve që po punojnë në terren./Albinfo.ch