Kosova

Ndahet nga jeta profesori dhe studiuesi i letërsisë shqipe, Prof. Dr. Nuhi Rexhepi

Prof. Dr. Nuhi Rexhepi për dekada dha kontribut të çmuar në edukimin e brezave të rinj dhe në zhvillimin e shkencës së letërsisë

Bota akademike shqiptare humbi një nga emrat e rëndësishëm të arsimit të lartë dhe studimeve albanologjike. Është ndarë nga jeta profesori universitar dhe studiuesi i letërsisë shqipe, Prof. Dr. Nuhi Rexhepi, i cili për dekada dha kontribut të çmuar në edukimin e brezave të rinj dhe në zhvillimin e shkencës së letërsisë.

Prof. Dr. Nuhi Rexhepi lindi në vitin 1942 në Pogragjë të Gjilanit. Arsimin fillor e përfundoi në vendlindje, ndërsa shkollimin e mesëm në Normalen e Prishtinës dhe të Gjakovës. Në vitin 1967 diplomoi në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet pasuniversitare i vazhdoi në Fakultetin Filozofik të Beogradit.

Në dhjetor të vitit 1995 mbrojti doktoratën në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës me temën “Interpretimi i letërsisë shqipe në tekstet shkollore të Kosovës 1945–1990”, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në fushën e metodikës dhe studimeve letrare.

Rrugën profesionale e nisi si mësues në vendlindje, për të vazhduar si arsimtar në Obiliq dhe më pas si profesor i gjuhës shqipe në Shkollën Normale dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjilan.

Në vitin 1972 iu bashkua Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës si asistent, ku për shumë vite ligjëroi lëndët Historia e Letërsisë Shqipe dhe Metodika e Gjuhës Shqipe. Përveç punës pedagogjike, ai mbajti edhe përgjegjësi të rëndësishme akademike, duke shërbyer si prodekan i Fakultetit të Filologjisë dhe shef i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.

Puna e tij shkencore dhe akademike mbetet e lidhur me përgatitjen e shumë brezave të studentëve, si dhe me avancimin e studimeve mbi letërsinë dhe gjuhën shqipe.

Ceremonia e varrimit të Prof. Dr. Nuhi Rexhepit do të mbahet më 9 korrik 2026, në orën 16:45, në Varrezat e Qytetit të Prishtinës, në Arbëri.

Me largimin e tij nga jeta, familja, kolegët, ish-studentët dhe komuniteti akademik humbën një profesor të respektuar, ndërsa arsimi dhe kultura shqiptare ruajnë trashëgiminë e një jete të përkushtuar dijes.