Lajme

Mosanëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, ambasadori gjerman tregon arsyet

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, ka dhënë disa arsye pse Kosova nuk po anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

Ai në një intervistë për mediat në Kosovë ka hedhur kritika për mosrespektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit.

“Kosova është i vetmi shtet që nuk është anëtar në Evropë, edhe pse disa shtete rishtazi janë larguar, por se dallimi i vetëm ka të bëjë me mënyrën më të mirë se si të arrihet ky synim sa më shpejt që është e mundur dhe ne kemi thënë publikisht që Këshilli i Evropës është organizatë e sundimit të ligjit dhe moszbatimi i aktgjykimit të Gjykatës suaj të Lartë është shkelje e qartë e sundimit të ligjit dhe jo mënyra më e mirë për ta arritur këtë synim sa më shpejt që është e mundur”, tha Rohde.

“Kosova është shtet demokratik dhe në një shtet demokratik ju keni një garantues të Kushtetutës, e që është Gjykata Kushtetuese dhe kjo gjykatë ka nxjerrë një vendim të plotfuqishëm dhe nëse doni të bëheni anëtar të Këshillit dhe paraprakisht nuk silleni si duhet, kjo nuk është receta për t’u bërë anëtar”, shtoi ai.

Sipas ambasadorit, nëse Kosova nuk e kalon Asamblenë Parlamentare, kjo nuk është shenjë e mirë për marrjen e një vendimi të shpejtë.

“… më lejoni të përsëris se dëshirojmë që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, sepse ka një simpati shumë të madhe për Kosovën që ajo të bëhet anëtare, por tani është në dorën e Kosovës ta bëjë pjesën e saj në rrugën për anëtarësim në Këshill të Evropës dhe s’dua t’i përsëris thirrjet e të gjitha organizatave ndërkombëtare apo qeverive, por se Deçani është një rast që duhet të kryhet”, tha ambasadori gjerman në Kosovë.

Ai nuk ka komentuar qëndrimin e kryetarit të Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili ka thënë se nuk do ta respektojnë asnjëherë këtë vendim.

“Nuk dua të futem në debatin nëse kryetari i komunës ka të drejtë, çdo qytetar dhe çdo kryetar i Kosovës ka të drejtë mendimi apo kritike, por në çdo shtet demokratik vendimet e gjykatës duhet të zbatohen dhe kjo është e tëra, kjo është res judicata, diçka e përfunduar, çfarë politikanët thonë apo nuk thonë, s’ka rëndësi, por nëse vendimet e gjykatës nuk zbatohen, kjo e minon autoritetin e gjykatës dhe mund t’i keni të gjitha mendimet e mundshme për atë nëse gjykata kishte të drejtë apo ishte e korruptuar, gjithashtu kishim diskutime të ngjashme në Gjermani kur në vitin 1994 Gjykata Kushtetuese vendosi që të gjitha shpronësimet e Stalinit gjatë periudhës 1945-1949 nuk mund të prekeshin, ishin miliona hektarë në Gjermaninë Lindore, jo 24 hektarë, por miliona hektarë dhe shumë njerëz nuk e mirëpritën vendimin e gjykatës, por se vendimi u aprovua dhe u zbatua. Këtu përfundon tregimi”, tha ndër të tjera ai.

Më 19.05.2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte vendosur për kthimin e 24 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit./Kallxo.com