Kosova

Mes dy kulturave, një sukses, historia e Algjerina Ruhanit

Dy diploma universitare në fushën e menaxhimit të proceseve, analizës së të dhënave dhe supply chain, ajo sot është e angazhuar profesionalisht në sektorin e teknologjisë dhe industrisë digjitale, IT-së në Austri. E rritur mes dy kulturave, Algjerina Ruhani e ka kthyer disiplinën dhe përkushtimin në bazë të suksesit të saj akademik dhe profesional.

Algjerina Ruhani, e reja shqiptare e lindur dhe e rritur në Linz të Austrisë, përfaqëson një profil me perspektivë dhe formim të thellë akademik e profesional. Ajo shquhet për një qasje të veçantë ndaj jetës, ku ambicia, disiplina dhe vlerat personale ndërthuren natyrshëm me përvojën e saj në një shoqëri multikulturore. Në thelb të rrugëtimit të saj qëndron bindja se “mjafton vullneti dhe përkushtimi për t’i kthyer ëndrrat në realitet, nëse ato drejtohen në destinacionin e duhur”.

Që në fëmijëri, ajo është rritur mes dy botëve, kulturës austriake dhe asaj shqiptare, duke ndërtuar një identitet të fortë dhe të balancuar. E angazhuar si në shkollim ashtu edhe në aktivitete sportive e artistike, ajo ka zhvilluar një personalitet aktiv dhe të hapur. Një rol të rëndësishëm në ruajtjen e gjuhës dhe lidhjes me origjinën ka pasur edhe shkolla e gjuhës shqipe dhe aktivitetet e komunitetit shqiptar në Austri.

Rrugëtimi i saj akademik është shënuar me përkushtim dhe rezultate të larta. Pas përfundimit të gjimnazit “Khevenhüller Gymnasium Linz”, ajo ka ndjekur studimet bachelor në FH Oberösterreich në drejtimin “Prozessmanagement und Business Intelligence”, dhe më pas masterin në “Supply Chain Management”. Ky kombinim i ka dhënë një bazë të fortë në menaxhim, analiza të dhënash dhe procese biznesi, duke e përgatitur për një treg pune gjithnjë e më dinamik dhe digjital.

Megjithatë, rrugëtimi i saj nuk ka qenë pa sfida. Një nga momentet më të vështira ka qenë balancimi mes studimeve dhe punës, pasi ajo ka qenë e angazhuar profesionalisht gjatë gjithë periudhës universitare. Ky ritëm i ngarkuar i ka kërkuar disiplinë, sakrificë dhe organizim të vazhdueshëm, por njëkohësisht i ka forcuar ndjenjën e përgjegjësisë dhe fokusin drejt qëllimeve afatgjata.

Sot, ajo është e punësuar në Voestalpine group-IT, në fushën e teknologjisë së informacionit, ku ka nisur të ndërtojë karrierën e saj profesionale. Për të, të jetuarit mes dy kulturave nuk është sfidë, por avantazh që i ka zgjeruar horizontet dhe i ka dhënë fleksibilitet në të menduar dhe vepruar. Në të njëjtën kohë, lidhja me Kosovën mbetet shumë e fortë, duke e konsideruar si pjesë të pandashme të identitetit të saj.

Në fund, mesazhi i saj për të rinjtë shqiptarë është i qartë, të jenë të hapur ndaj dijes, të zhvillojnë mendim analitik dhe të mos dorëzohen përballë sfidave. “Me vullnet, durim dhe punë të vazhdueshme, çdo ëndërr mund të realizohet,” është thelbi i rrugëtimit të saj.

Intervista e plotë –

Albinfo.ch – Algjerina, fillimisht na trego pak rreth vendlindjes tuaj, ku keni lindur, hapat e parë të shkollimit ku i keni marrë?

Kam lindur dhe jam rritur në Austri, në qytetin e Linzit. Që nga fëmijëria kam qenë shumë e përkushtuar ndaj shkollimit, por njëkohësisht edhe shumë aktive në aktivitete të ndryshme si futbolli, volejbolli, këndimi, kërcimi dhe recitimi. Kam marrë pjesë edhe në aktivitete të ndryshme, si në shkollë ashtu edhe në programe dhe organizime festive, veçanërisht për festa kombëtare. Gjithashtu, kam ndjekur mësimin në shkollën e gjuhës shqipe në Austri, gjë që ka ndikuar shumë në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit tim.

Më pas kam vazhduar shkollimin në gjimnazin “Khevenhüller Gymnasium Linz”, një ndër gjimnazet më sfiduese në Austrinë e Epërme, për tetë vite. Pas katër viteve të para, kemi pasur mundësinë të zgjedhim nëse duam dhe nëse kemi kapacitet të vazhdojmë gjimnazin. Që në atë kohë e kam ditur që dua të vazhdoj studimet universitare.

Në kohen e maturës, kalova një proces selektimi me disa faza, përfshirë një provim pranues disaorësh dhe intervista me profesorët. Ishte sfiduese, por shumë motivuese, sidomos kur u rendita ndër më të mirët.

Menjëherë pas përfundimit të shkollës së mesme, fillova studimet. Edhe pse isha ndër më të rejat në mesin e studentëve, ku shumë prej tyre kishin tashmë përvojë pune apo edhe familje, kjo më motivoi edhe më shumë të dëshmoj veten dhe të vazhdoj rrugën time me përkushtim.

Algjerina Ruhani
Algjerina Ruhani

Albinfo.ch- A mund të na tregosh se çfarë drejtimi keni studiuar dhe si quhet universiteti?

Kam përfunduar studimet bachelor në FH Oberösterreich, në kampusin në Steyr, në drejtimin “Prozessmanagement und Business Intelligence”.

Ky drejtim kombinon menaxhimin e proceseve në kompani me analizën e të dhënave. Gjatë studimeve mësohet si të optimizohen proceset, si të merren vendime të bazuara në të dhëna dhe si të lidhen aspektet ekonomike me teknologjinë digjitale. Është një fushë shumë e kërkuar sot, pasi kompanitë synojnë të jenë më efikase dhe më të orientuara nga të dhënat.

Pas përfundimit të bachelor-it, kam vazhduar menjëherë me studimet master në të njëjtin universitet, në drejtimin “Supply Chain Management”.

Ky program fokusohet në menaxhimin e zinxhirit të furnizimit, pra në organizimin dhe lidhjen e proceseve nga prodhimi, furnizimi deri te shpërndarja e produkteve. Përfshin tema si logjistika, analiza e të dhënave dhe menaxhimi i proceseve globale, me theks të fortë në praktikë dhe lidhje me industrinë.

Ky kombinim studimesh më ka dhënë një bazë shumë të fortë ekonomike dhe analitike dhe më ka përgatitur mirë për tregun e punës.

Albinfo.ch – A na përshkruani emocionet e ceremonisë së diplomimit në të dy nivelet, Bachelor dhe Master?

Diplomimi në Bachelor ka qenë një moment shumë i veçantë për mua, pasi ishte hera e parë që arrija një titull akademik. Duke qenë se studimet kanë qenë sfiduese, ndjenja ishte një përzierje krenarie, lehtësimi dhe lumturie. Ky moment u bë edhe më i veçantë nga një festë surprizë që prindërit e mi organizuan për mua, ku kishin ftuar edhe shoqet e mia.

Edhe diplomimi në Master ka qenë një arritje shumë e rëndësishme për mua. Gjatë ceremonisë prezantova shkurtimisht temën e diplomës dhe u përgjigja në disa pyetje nga profesorët. Ishte një moment krenarie dhe reflektimi për gjithë rrugëtimin tim akademik.

Këto përvoja kanë qenë shumë të veçanta për mua, sidomos duke qenë se në rrethin tim nuk ka qenë diçka e zakonshme, gjë që e bën këtë sukses edhe më domethënës.

Albinfo.ch – Cili ka qenë momenti më sfidues gjatë rrugëtimit tënd drejt diplomës?

Momenti më sfidues gjatë rrugëtimit tim ka qenë balancimi mes studimeve dhe punës, si në Bachelor ashtu edhe në Master.

Gjatë gjithë kësaj periudhe kam punuar paralelisht, dhe kombinimi i ligjëratave, detyrave, projekteve në grup dhe provimeve me angazhimin në punë ka kërkuar shumë disiplinë dhe organizim. Kjo shpesh ka nënkuptuar edhe sakrifica në jetën private.

Në një moshë kur shumë të rinj përjetojnë më shumë liri, unë kam zgjedhur të jem e fokusuar në qëllimet e mia. Nuk ka qenë gjithmonë e lehtë, por kjo më ka ndihmuar të zhvilloj përgjegjësi dhe përkushtim.

Albinfo.ch – Si është të studiosh e të jetosh midis dy kulturave, atë austriake dhe shqiptare? A të ka ndihmuar kjo në formimin tënd personal?

Të jetosh dhe studiosh midis dy kulturave, asaj austriake dhe shqiptare, ka qenë një pjesë shumë e rëndësishme e rrugëtimit tim.

Duke u rritur në Austri, jam formuar në një sistem që vlerëson disiplinën, strukturën dhe përgjegjësinë, sidomos në aspektin akademik dhe profesional. Në të njëjtën kohë, rrënjët dhe familja ime shqiptare më kanë dhënë motivim të fortë, ndjenjën e përkatësisë dhe këmbënguljen për të arritur qëllimet.

Ndonjëherë nuk ka qenë e lehtë të balancoj këto dy botë, por pikërisht kjo më ka ndihmuar të zhvilloj fleksibilitet, të kuptoj perspektiva të ndryshme dhe të përshtatem më lehtë në situata të reja.

Sot e shoh këtë si një avantazh të madh, sepse më ka dhënë një perspektivë më të gjerë dhe më ka formuar jo vetëm si studente dhe profesioniste, por edhe si person.

Algjerina Ruhani
Algjerina Ruhani

 

Albinfo.ch – Cilat janë planet e tua tani pas diplomimit, a mendon të vazhdosh tutje studimet në Austri? Aktualisht, a jeni duke punuar?

Pas përfundimit të studimeve, fokusi im kryesor është të zhvillohem profesionalisht dhe të fitoj përvojë pune. Pas dy studimeve universitare në një moshë relativisht të re, e shoh këtë si momentin e duhur për t’u përqendruar në praktikë dhe në ndërtimin e karrierës. Në të ardhmen nuk e përjashtoj mundësinë për të vazhduar edhe më tej me studime, si për shembull një doktoraturë.

Aktualisht jam e punësuar në voestalpine group-IT, pjesë e një grupi industrial të njohur ndërkombëtarisht për teknologjitë dhe prodhimin e çelikut. Punoj në fushën e IT-së dhe kam rreth dy vite përvojë, gjatë të cilave kam pasur mundësi të zhvillohem dhe të marr mbështetje të vazhdueshme, gjë që më motivon të vazhdoj rrugën time dhe të avancoj më tej brenda kompanisë.

Albinfo.ch – Çfarë mesazhi do t’u jepje të rinjve shqiptarë që ëndërrojnë studimet në fushën tuaj?

Mesazhi im për të rinjtë shqiptarë që duan të studiojnë në këtë fushë është të jenë të hapur ndaj zhvillimeve të reja dhe të ndërtojnë një mënyrë të menduari analitike dhe të strukturuar.

Sot, digjitalizimi dhe qëndrueshmëria po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme. Si gjeneratë, kemi përgjegjësi të përdorim burimet me kujdes dhe të reduktojmë shpërdorimet. Prandaj është e rëndësishme të kuptohet si funksionojnë proceset në kompani dhe si mund të përmirësohen ato.

Unë vetë kam filluar si një vajzë me ëndrra të mëdha dhe me shumë punë kam arritur t’i realizoj ato në aspektin akademik dhe të hedh hapat e parë në karrierë. Prandaj besoj që me vullnet, durim dhe punë, gjithçka është e mundur.

Albinfo.ch – Për fund sa jeni e lidhur me Kosovën dhe sa shpesh e vizitoni atë?

Jam shumë e lidhur me Kosovën dhe kjo lidhje vjen që nga fëmijëria.

Dua t’i falënderoj prindërit e mi që mua dhe vëllain tim na kanë rritur me gjuhën shqipe dhe me dashurinë për vendlindjen e tyre. Që të vegjël, pothuajse çdo verë e kemi kaluar në Kosovë, gjë që ka ndikuar shumë në ruajtjen e lidhjes sonë me kulturën dhe familjen.

Edhe sot vazhdoj ta vizitoj shpesh Kosovën dhe për mua mbetet gjithmonë një vend shumë i veçantë, ku ndihem si në shtëpi.

Algjerina Ruhani